Postuar më: 15/10/2019

Zv.Ministri Haxhi: Buxheti vendor për vitin 2020 do të jetë 11.2% më i lartë se në vitin 2019

Këshilli Konsultativ me njësitë e vetëqeverisjes vendore

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka organizuar Këshillin Konsultativ me njësitë e vetëqeverisjes vendore me temë “Projektbuxheti vendor 2020, reforma e financave publike vendore dhe vlerësimi i performancës së vitit 2018”.

Në këtë takim është diskutuar mbi çështje si: projektbuxheti vendor 2020; reformat në menaxhimin financiar në nivel vendor; raportin kombëtar të monitorimit të përformancës së bashkive 2018; si dhe manualin praktik për procedurat e administrimit fiskal në njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë paraqiti Raportin e Monitorimit të Performancës së Bashkive për vitin 2018, i cili tregon përpjekjet e bashkive për monitorimin e performancës së tyre buxhetore në lidhje me objektivat dhe rezultatet e arritura në përdorimin e fondeve publike. Raporti përshkruan përputhshmërinë ligjore me formatet e reja të menaxhimit financiar në nivel vendor duke nënvizuar sfidat dhe sukseset. Ai është i pari i këtij lloji dhe do të pasohet nga një seri raportesh vjetore të performancës në nivelin vendor me analizë më të thelluar të performancës buxhetore. Raporti tregon ndryshimet strukturore që Reforma e Financave Publike 2014-2020 ka sjellë në nivelin vendor nëpërmjet ndryshimeve të kuadrit rregullator.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë e vlerëson këtë raport, si një instrument i cili shënon fillimin e dialogut ndërmjet të gjithë aktorëve, ministrive të linjës, bashkive dhe qytetarëve, me qëllim vënien e theksit tek termi “performanca e buxhetit” dhe tek rëndësia e matjes së performancës si bazë për krahasimin e bashkive”, u shpreh zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Elton Haxhi.

Këshilli Konsultativ me njësitë e qeverisjes vendore u vlerësua edhe nga përfaqësuesja e Ambsadës së Zvicrës, znj. Chantal Nicod, e cila u shpreh se: “Ky Këshill është një platformë e nevojshme për qeverisje demokratike dhe rritjen e ofrimin e shërbimit në nivel lokal. Qeveria lokale dhe ajo qëndrore nevojiten të takohen dhe të dëgjojnë këndvështrimet e njëri tjetrit në drejtim të zgjidhjes së problemeve të përbashkëta”.

Gjatë takimit, Zv.Ministri Elton Haxhi bëri një përmbledhje të reformave që Qeveria ka ndërmarrë vitet e fundit për të modernizuar qeverisjen vendore në vendin tonë. Këto reforma, si edhe puna e njësive vendore në mbledhjen e të ardhurave, ka bërë që pesha pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.5% e PBB-së në vitin 2013 në mbi 4% të PBB-së në 2020.

Megjithatë, Zv.Ministri theksoi se buxheti vendor për vitin 2020 do jetë më i lartë krahasuar me vitin 2019. “Në vitin 2020, buxheti total i qeverisjes vendore do jete 11.2% më i lartë se sa ai vitit 2019, ose 5.7 milard lekë (57 milion dollarë) më shumë se sa në vitin 2019. Transferta e pakushtëzuar do të jetë mbi 600 milionë lekë më e lartë se sa transferta e pakushtëzuar e vitit 2019”, u shpreh z. Haxhi.

Zv.Ministri apeloi që rritja e të ardhurave për pushtetin vendor duhet të përkthehet në investime, më shumë mundësi për qytetarët dhe në shërbime më të mira, ndërkohë që kërkoi bashkëpunimin e njësive vendore për zbatimin me sukses të reformës së taksës mbi pasurinë e paluajtshme.