Postuar më: 03/10/2019

Vijojnë kontrollet në terren, prioritet zbatimi i sigurisë dhe shëndetit në punë për punëmarrësit

Plani Operacional Stop informaliteti vijon të zbatohet edhe nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ku një ndër sektorët më me risk është ai i ndërtimit.

Në këtë kuadër, zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Dajna Sorensen, e shoqëruar nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës z. Arben Seferaj, zhvilluan një inspektim në një subjekt që operon në sektorin e ndërtimit në kryeqytet. Qëllimi i inspektimit ishte verifikimi i kushteve të punës për punëmarrësit, siguria dhe shëndeti në punë, si dhe deklarimi i punonjësve sipas përcaktimeve ligjore. Nga verifikimet e kryera nga grupi i inspektimit rezultoi se subjekti kishte mangësi dhe nuk përmbushte detyrimet ligjore përkatëse. Ndaj i tij u mor masa e pezullimit, e cila do të jetë në fuqi deri në momentin që do të plotësohen të gjitha masat që u vendosën.

“Ne jemi aktualisht në një fazë të rëndësishme, ku me intensitet të lartë po inspektojmë subjekte të ndryshme, jo vetëm për elementin e informalitetit, por gjithashtu për sigurinë dhe shëndetin në punë. Siguria dhe shëndeti në punë dhe zbatimi i Kodit të Punës janë dy shtyllat kryesore të funksioneve të Inspektoriatit të Punës. Sektori i ndërtimit është një sektor me risk shumë të lartë dhe këto janë ato ndërmarrje të domosdoshme për t’i inspektuar dhe për të siguruar që kushtet e punës janë të tilla që nuk cenojnë jetën e askujt”, tha zv.ministrja Sorensen.

Zv.Ministrja nënvizoi se lufta kundër informalitetit do të vazhdojë, ndërkohë që nga inspektimet e ndërmarrë gjatë muajit shtator nga Inspektoriati janë identifikuar rreth 300 punonjës informalë në subjektet e inspektuara, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë janë formalizuar dhe janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore.

Nga ana e tij, kryeinspektori Seferaj tha se do të vijohet me inspektimet, jo vetëm në sektorin e ndërtimit, por edhe në sektorë të tjerë. Ai i bëri apel të gjithë punëmarrësve që të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga legjislacion dhe të mos neglizhojnë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Të gjitha masat që parashikon legjislacioni për shëndetin dhe sigurinë në punë duhet të merren në konsideratë mënyrë të padiskutueshme nga ana e subjekteve. Gjithashtu, punëmarrësit mund t’i drejtohen të gjitha platformave elektronike që janë në dispozicion, si: Bashkëqeverisjes, Stop Informalitetit, MFE-së, faqes zyrtare të ISHP për të depozituar ankesat dhe denoncimeve. Trajtimi i tyre bëhet në mënyrë të plotë, profesionale dhe në në kohë rekord nga ana jonë, me qëllim zgjidhjen e problematike që haset në punën e përditshme”, tha z. Seferaj.