Postuar më: 06/05/2015

Shqipëri- Kosovë,gati inspektimi i përbashkët në fushën e sigurisë ushqimore

Realizohet një nga kërkesat e rëndësishme të biznesit prodhues dhe eksportues, por edhe e kompanive që eksportojnë produkte ushqimore në Kosovë. Vetëm pak kohë më parë, kompanitë shqiptare duhet të prisnin me orë dhe ditë për të realizuar kontrollin specifik ushqimor të këtyre produkteve nga autoritetet respektive të shtetit të Kosovës. Sot, pas takimeve të njëpasnjëshme dhe angazhimit të  lavdërueshëm të autoriteteve kosovare, është bërë e mundur ngritja në kufi e zyrës së Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, ndërsa zyra homologe shqiptare ekzistonte aty prej kohësh.

 

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi është realizuar kërkesa e bërë në takimin e përbashkët të zëvendësministres së Financave të Shqipërisë, znj. Irena Beqiraj dhe homologut të saj të Republikës së Kosovës, z. Adem Krasniqi, realizuar në Prishtinë në fillim të muajit prill të këtij viti.

 

Sipas informacioneve nga të dyja autoritetet doganore të Shqipërisë dhe të Kosovës, produktet që importohen/eksportohen nga Shqipëria dhe Kosova përmes pikëkalimit kufitar në Morinë do të kontrollohen nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e sigurisë së ushqimeve që konsumohen nga konsumatorët vendorë, sidomos atyre sezonale.

 

Vendosja e inspektorëve në pikën kufitare në Morinë  do të sjellë një shërbim të shpejtë dhe profesional për të gjithë ata sipërmarrës që merren me importin e produkteve me origjinë bimore apo shtazore. Në çdo kohë, në këtë PKK janë të pranishëm dy inspektorë, inspektori veterinar dhe fitosanitar, gjatë 24 orëve, me qëllim të kryerjes së shërbimeve efikase dhe shmangien e vonesave, në veçanti për produktet sezonale.

 

Nga ana e autoriteteve shqiptare të Doganës mësohet se do të ofrohen shërbime të njëjta për prodhuesit dhe eksportuesit në të dy anët e kufirit. Kontrolli do të jetë i detajuar, do të realizohet në çdo moment, në çdo kohë që kërkohet nga importuesit dhe eksportuesit respektivë.

 

Kështu, zhdoganimet për produktet bujqësore do të realizohen me një kursim kohe që shkon deri në 4-5 orë, nuk do të qëndrojnë në terminale doganore, por do të shkojnë direkt në destinacion, do të reduktohet kosto për biznesin duke mos paguar tarifat respektive në terminale (ende mjaft të larta në këtë moment dhe për të cilat autoritetet respektive janë duke zhvilluar negociata), si dhe do të sigurohet, për shkak të kësaj procedure, edhe cilësi e mirë e produktit, pasi ai nuk qëndron i mbyllur për shumë kohë, sikundër ndodhte më parë.

Përfitues të këtij shërbimi të shpejtë do të jenë edhe kompanitë ri-eksportuese, ato që realizojnë tranzit në drejtim të Kosovës, duke u nisur nga Porti i Durrësit (sidomos kompanitë e prodhimit dhe tregtimit të produkteve ushqimore, ëmbëlsirave, frutave e perimeve të stinës, etj.).

 

Instalimi i kontrollit të përbashkët në doganën e Morinit është shprehje edhe e konkretizimit të memorandumit të përbashkët mes ministrive homologe të të dy vendeve dhe e angazhimin konkret të institucioneve respektive për të ecur më shpejt edhe drejt përmirësimit të kuadrit rregullues, si atij në fushën e trajtimit të mjeteve transportuese në terminalet doganore, për t’i ofruar lehtësi biznesit. Grupet e përbashkëta të punës në Shqipëri e Kosovë janë duke punuar që të arrihet në objektivin final të realizimit të një dogane të përbashkët me Kosovën.

Memorandumi i nënshkruar në 23 mars në Tiranë, por edhe disa takime bilaterale të autoriteteve publike të të dy vendeve tona, të bëra kohë më parë, kishin e kanë për qëllim të bashkërendojnë punën e administratave fiskale dhe drejtorive të politikave fiskale për të ngushtuar dallimet që ekzistojnë në ambientin ekonomik midis dy vendeve.

Të rejat e fundit