Postuar më: 02/09/2020

Shqipëri-Kosovë, rritet bashkëpunimi në fushën e punësimit

Bashkëpunimi mes dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, tashmë prej vitesh  është intensifikuar në fusha të ndryshme, sidomos në atë të bashkëpunimit ekonomik, çka ka rritur ndjeshëm shkëmbimet tregtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj priti në një takim dypalësh Ministrin e Punës dhe Mirëqenies  Sociale të Kosovës,  z.Skënder Reçica.

Gjatë këtij takimi bashkëbiseduesit sollën në vëmendje të gjitha çështjet e lidhura me bashkëpunimin në fushën e punësimit dhe sigurimeve shoqërore, çka  pritet të  ketë    së shpejti një axhendë të përbashkët në këto fusha me përfitim të drejtpërdrejtë jo vetëm të ekonomisë, por mbi të gjitha të qytetarëve.

Pas takimit dy ministrat respektivë  dolën në një konference për mediat, ku vlerësuan se lehtësimi i  procedurave  në fushën e punësimit do të ndikojë drejtpërdrejt në tregun e punës së të dy vendeve.

“ Ne së bashku do të shohim si negociatat përkthehen në shifra, por jemi të bindur se do të arrijmë një marrëveshje, tha Denaj, sipas të cilës, kjo do të unifikojë tregun e punës në një farë mënyrë. Ekipet profesionale pas dakordësimit të marrëveshjes dhe pas firmosjes në mbledhjen e dy qeverive do të sjellë përfitime për qytetarët këtej dhe andej”.

Ndërsa  ministri i Reçica, tha se  kjo bën që ne të jemi më pranë njëri tjetrit si vende. Edhe marrëveshja për sigurimet sociale, që qytetarët të gëzojnë një pension të denjë.

—————————–

Fjala e plotë e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

 

I nderuar Z. Skënder Reçica, Ministër i Punës dhe Mirëqënies Sociale

Të nderuar qytetarë,

Kemi pasur kënaqësinë ditën e sotme, të zhvillojmë një takim bilateral me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Reçica.

Së pari më lejoni të falënderoj Ministrin dhe delegacionin e tij për këtë vizitë zyrtare në Shqipëri, pasi situata e pandemisë, e bën çdo aktivitet të përbashkët, një sfidë.

Më lejoni gjithashtu të përshëndes krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. Në këtë krahë të kufirit jemi përherë të gatshëm të vijojmë axhendën e përbashkët dhe të çojmë përpara bashkëpunimin mes dy vendeve.

Hapat e ndërmarra deri më tani me Kosovën në kuadër të unifikimit të tregjeve, reduktimit të barrierave tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike janë premisë e mirë për nxitjen e përpjekjeve tona në kuadër të integrimit, Procesit të Berlinit dhe veçanërisht jetësimin e objektivave të për një treg të përbashkët rajonal.

Në 10 vitet e fundit kemi 4-fishuar eksportet me Kosovën. Ndërsa  gjatë vitit 2019 dinamika pozitive e shkëmbimeve tregtare, ka bërë që bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të arrijë  vlerat më të larta të shkëmbimeve në vite (rreth 300 milionë Euro).

Sidoqoftë potencialet e dy vendeve tona janë më të mëdha dhe në më shumë fusha.

Në vëmendje të diskutimit tonë ishin mbi të gjitha çështjet e lidhura me bashkëpunimin në fushën e punësimit dhe sigurimeve shoqërore.

Edhe më herët, kemi rënë dakord për një axhendë të përbashkët në këto fusha me përfitim të drejtpërdrejtë jo vetëm të ekonomisë, por mbi të gjitha të qytetarëve.

Dakordësia me homologun është që çështjet në fushën e Punësimit dhe të Sigurimeve Shoqërore.

E informova me kënaqësi Ministrin Reçica, mbi  politikat e Qeverisë Shqiptare në kuadër të ngritjen e strukturës së Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim dhe shërbimet online për punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Qeveria Shqiptare ka miratuar programet e reja të nxitjes së punësimit, programe të cilat do t’i lançojmë së shpejti edhe me Kryeministrin Rama, programe nga të cilat përfitojnë të gjithë punëkërkuesit e papunë.

Uroj që këto modele të jenë një shembull i mirë i politikave të cilat stimulojnë punësim të të rinjve, formalizim dhe ripunësim pas situatës së pandemisë.

Me kënaqësi gjithashtu kujtoj se sot çdo qytetar i Kosovës, është i lirë të punojë në Shqipëri me dokumentacion të thjeshtuar, pa nevojë për një leje pune. Kam shpresën dhe bindjen që së shpejti kjo masë të vihet në zbatim edhe për qytetarët shqiptarë në Kosovë.

Lëvizja e lirë e punonjësve – mobiliteti mes dy vendeve është një ndër shtyllat bazë të krijimit të një tregu të përbashkët, rajonal.

Së bashku me Ministrin Reçica jemi të angazhuar që të finalizojmë marrëveshjet e nevojshme në Mbledhjen e Ardhme të dy Qeverive.

Mbetemi po ashtu të gatshëm të vijojmë përgatitjet dhe diskutimet teknike për një marrëveshje të plotë të sigurimeve shoqërore në përputhje edhe me legjislacionin e BE-së, ku të dy vendet aderojmë.

Do të punojmë fort bashkërisht për të zbatuar angazhimet e marra nga të dy Kryeministrat tanë, z.Rama dhe z.Hoti, në takimin e 2 Korrikut.

Kam bindjen se bashkëpunimin i shkëlqyer dypalësh do të vazhdojë të jetë një model i qasjes strategjike në një rajon me shumë potencial ekonomik, si Ballkani.

Ju faleminderit!