Postuar më: 02/12/2019

Projektbuxheti 2020 dhe Paketa Fiskale miratohen në parim nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Projektbuxheti i vitit 2020 dhe Paketa Fiskale që e shoqëron atë u miratuan në parim nga Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat, pas shqyrtimit që ky komision kishte bërë në mbledhjet e mëparshme të tij.

Në seancën plenare të radhës pritet edhe miratimi në parim nga Parlamenti, në mënyrë që më pas Projektbuxheti i vitit të ardhshëm dhe Paketa Fiskale të vijojë të shqyrtohet nen për nen.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ka prezantuar në disa prej komisioneve kryesore parlamentare Projektbuxhetin 2020 dhe Paketën Fiskale.

Në këto prezantime është theksuar fakti se Projektbuxheti 2020 është realist dhe synon realizimin e një rritjeje ekonomike në nivelin 4.1%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.

Po ashtu, prioritet në projektbuxhetin e vitit 2020 është mbështetja për sektorët prioritarë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën, si dhe reformën në drejtësi.

Sa i përket Paketës Fiskale, drejtuesit e MFE janë shprehur gjatë prezantimeve në komisionet parlamentare se paketa e këtij viti nuk është një paketë tipike, por fokusohet në ndryshimet e disa ligjeve kryesore dhe në harmonizimin e disa dispozitave ligjore me përcaktimet e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.