Postuar më: 19/11/2019

Projektbuxheti 2020-Denaj: Deficiti dhe borxhi publik në trend rënës

Deficiti buxhetor dhe borxhi publik u diskutuan sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të shqyrtimit dhe diskutimit të Projektbuxhetit të shtetit për vitin 2020.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, theksoi faktin se niveli i borxhit të qeverisjes qendrore në raport me Produktin e Brendshëm Bruto ka hyrë në një trajektore rënëse që prej vitit 2016, ku vlerësimet për fundin e vitit 2019 tregojnë një rënie me rreth 2.5 pikë përqindje të borxhit të qeverisjes qendrore në raport me PBB.

Në paralel me trajektoren rënëse të borxhit, edhe deficiti buxhetor ka rënë nën nivelet e 2%, e konkretisht: në vitin 2018 në 1.6 % dhe në vitin 2019 në 1.9 % ndaj PBB-së. Për vitin 2020, parashikimi vijon të jetë në nivelet e 1.6%.

 

Ministrja Denaj përmendi faktin se gjatë viteve të fundit kosto mesatare e borxhit është ulur ndjeshëm, pavarësisht rritjes së stokut të borxhit afatgjatë në portofol.

 

Ministrja tha se gjatë vitit të ardhshëm dhe në periudhën afatmesme do të vijohet me aktivitete të cilat kanë si objektiv reduktimin e mëtejshëm të riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit të borxhit të brendshëm. Në këtë drejtim, prioritet do të mbetet zgjatja e jetëgjatësisë së borxhit nëpërmjet uljes së mëtejshme të përqendrimit të titujve afatshkurtër në portofol.

 

“Zhvillimi i mëtejshëm i tregut primar vendas dhe hedhja e hapave për zhvillimin e tregut sekondar të titujve shtetërorë gjithashtu do të vijojë të mbetet objektiv parësor i strategjisë afatmesme të menaxhimit të borxhit. Realizimi i suksesshëm i këtij objektivi do pasohej me kosto dhe risqe më të ulëta për të gjithë aktorët e tregut, duke përfshirë qeverinë, si edhe investitorët e titujve shtetërorë”, u shpreh znj. Denaj.

 

Sa i përket huamarrjes së huaj në periudhën afatmesme, Ministrja bëri me dije se kjo huamarrje planifikohet të mbulojë mesatarisht deri në 20% të nevojave të  përgjithshme për hua të qeverisë.

 

Fjalën e plotë të Ministres Denaj mund ta gjeni në linkun:

 

http://www.financa.gov.al/projektbuxheti-2020-fjala-e-ministres-denaj-ne-komisionin-parlamentar-te-ekonomise-dhe-financave-per-menaxhimin-e-borxhit/