Postuar më: 14/10/2019

Plani Operacional “Stop Informalitetit”, zv/min Haxhi: I rëndësishëm ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për korrektësinë në deklarime

Në kuadër të Planit Operacional “Stop Informalitetit”, zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë z.Elton Haxhi zhvilloi një inspektim në disa subjekte, pranë sheshit “Willson” i shoqëruar edhe nga strukturat e Monitorimit në Terren të Administratës Tatimore.

Gjatë inspektimit, zëvendësministri Haxhi  tha se gjatë periudhës korrik-shtator  janë inspektuar në terren rreth 6,200 subjekte,  ndërsa vetëm në 10 ditshin e parë të muajit tetor janë 800 tatimpagues të verifikuar. Në total për periudhën e lartpërmendur numri i subjekteve të verifikuara nga strukturat e Monitorimit në Terren llogaritet në rreth 7,000.

“Janë rreth 30% e subjekteve të inspektuara që kanë rezultuar me shkelje të natyrave të ndryshme, si për : moslëshim kuponi tatimor, punonjës të paregjistruar, kasa fiskale jashtë funksionit, apo edhe për mosregjistrim në organet përkatëse. Masat që janë marrë kanë qenë konform legjislacionit në fuqi”, tha z.Haxhi.

Nga verifikimi i kryer nga strukturat e Monitorimit në Terren, krahas subjekteve me sjellje korrekte u verifikua edhe një rast i mospajisjes me kupon për herë të dytë, i cili u shoqërua me masën e mbylljes së aktivitetit për 30 ditë kalendarike .

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë tha se Planet Operacionale nuk kanë për qëllim ndëshkimin, por ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për përmbushjen e detyrimeve tatimore. Zbatimi i tij do të vazhdojë me të njëjtat ritme, në sektorë të ndryshëm sipas riskut që vlerësohet nga Administrata Tatimore, me qëllim reduktimin e shkeljeve.