Më datë 24 shkurt, Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani priti në zyrën e tij Ambasadorin e OSBE-së, z. Florian Rauning, i cili shoqërohej nga znj. Manoela Lussi, shefe e Sektorit të Qeverisjes dhe z. Darko Stojmenovski, Shef i Administratës së OSBEsë,
Ambasadori Rauning e përgëzoi z. Cani për detyrën e vështirë që ka marrë përsipër dhe shprehu mbështetjen për vizionin e forcës politike të drejtuar nga Kryeministri z. Edi Rama, duke nënvizuar se OSBE mbetet një partner serioz i qeverisë së re, për të cilën sfidat janë shumë të mëdha.
Biseda u fokusua në probleme që lidhen me situatën makro dhe stabilitetin financiar të vendit, rëndësinë e ngritjes se institucioneve të qëndrueshme dhe të besueshme në kuadrin e tërheqjes së investitorëve të huaj etj.
Objekt diskutimi ishte edhe lufta dhe parandalimi i pastrimit të parave, korrupsioni si dhe roli i politikës, e cila vështirëson më tej zbatimin e reformave në këtë fushë. Sipas tij, kjo është një fushë mjaft problematike për të gjithë Ballkanin.
Për këtë arsye z.Rauning komentoi nevojën e një qëndrimi më proaktiv nga ana e njësisë përkatëse*, rishikimin e procedurave dhe aspekteve ligjore, si edhe vuri në pah mundësinë e mbështetjes së OSBE-së nën udhëheqjen ambasadës franceze që është mjaft e involvuar në këtë drejtim.
© Ministria Financave dhe Ekonomisë 2021 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.