Postuar më: 24/11/2020

Nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit Ekonomik- Gjermania jep 58.2 mln euro për Qeverinë Shqiptare

Gjermania vazhdon të mbështesë vendin tonë si në procesin e negociatave për në BE, ashtu edhe në  kuadër të ndihmave financiare, të cilat në vite kanë ardhur duke u rritur.

Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, firmosi  Protokollin për Bashkëpunim dhe Zhvillim,  në kuadër të Negociatave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua online, Ministrja Denaj, vlerësoi  rolin e Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare,  veçanërisht Gjermanisë, për ndihmën e ofruar Shqipërisë, si për rimëkëmbjen nga tërmeti, ashtu edhe për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga COVID 19.

Ministrja Denaj informoi gjatë këtij takimi reformat e bëra nga Qeveria shqiptare gjate viteve të fundit, si  në kuadër të  përmirësimit të jetës së qytetarëve të saj, ashtu dhe në rolin e Shqipërisë, si një bashkëpunëtor me potencial të lartë të konkurrencës së zhvillimit ekonomik në rajon, me hapa të qartë drejt procesit të anëtarësimit në BE.

“Qeveria Shqiptare ka afirmuar angazhimin e plotë ndaj Agjendës 2030 dhe arritjen e Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm, gjë që reflektohet në angazhimin për të siguruar burime financiare për Fondin për përshpejtimin e këtyre objektivave.  Gjatë 32 viteve të bashkëpunimit tonë dypalësh të zhvillimit, Gjermania mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm dhe më të afërt, si dhe një nga donatorët më të mëdhenj dypalësh të Shqipërisë”, u shpreh Denaj.

Gjermania  në vite ka akorduar fonde në vlerë prej mbi 1 miliardë Euro, duke mbështetur Shqipërinë në reformat e saj kryesore dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian përmes ndërhyrjeve thelbësore, veçanërisht në fushat e :

  • furnizimi me ujë dhe kanalizimi (mbledhja dhe trajtimi i ujërave të ndotura),
  • menaxhimi i mbetjeve të ngurta, energjia, energjia e rinovueshme dhe efikasiteti i energjisë,
  • arsimimi dhe aftësimi teknik dhe profesional,
  • zhvillimi i sektorit privat dhe sektorit financiar,
  • bujqësia dhe zhvillimi rural.

Ministrja Denaj theksoi, se përmes këtyre negociatave bilaterale ne jemi të lumtur të marrim një konfirmim të fortë se qeveria gjermane do vazhdojë të mbetet një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm, si dhe mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj drejt pranimit në BE.

“Angazhimi i ri prej 58.2 milion € që Republika Federale e Gjermanisë merr përsipër të sigurojë për Bashkëpunim Dypalësh Teknik dhe Financiar do të jetë jetik në thellimin e procesit të transformimit social dhe institucional shqiptar, drejt arritjes së qëllimit tonë përfundimtar për arritjen e Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) dhe për të kapërcyer vështirësitë e shkaktuara nga tërmeti 2019 dhe lufta kundër pandemisë COVID-19”, tha Denaj.

Ambasadori Peter Zingraf u shpreh, se Qeveria Federale ka dhënë kontribute domethënëse në zhvillimin e Shqipërisë dhe së bashku kemi arritur shumëçka. Gjermania qëndron në krah të Shqipërisë edhe në kohët e vështira të pandemisë së COVID-19 dhe vazhdon të mbetet edhe në  të ardhmen një partner i besueshëm. Gjermania vë në dispozicion  jo vetëm fonde të shumta financiare dhe ekspertizë të fushave specifike, por edhe konsulencë kritike. Në këtë kontekst ne e inkurajojmë Shqipërinë të vijojë me vendosmëri rrugën e nisur të reformave drejt BE-së, në mënyrë të veçantë atë të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërsa i Ngarkuari për Evropën Juglindore në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin,  Volker Oel,  u shpreh  gjatë këtij takimi,  se premtimet financiare janë një shenjë e solidaritetit tonë për Shqipërinë dhe rolin e saj si partner strategjik në rajon.