Postuar më: 13/11/2020

Qeveria miraton fondin prej 580.2 milionë lekë për pagat e 870 naftëtarëve

Qeveria shqiptare vendosi në mbledhjen e saj të radhës, miratimin e fondit te veçantë prej 580.2 milionë lekë për pagesat e 870 naftëtarëve të Fierit.
Ky vendim vjen si një mbështetje e drejtpërdrejtë për naftëtarët menjëherë pasi ata u dakortësuan gjatë takimit që zhvilluan disa ditë më parë me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.
Duke vlerësuar situatën jo të lehtë të naftëtarëve dhe familjeve të tyre, Qeveria vendosi një trajtim financiar shtesë për t’i ardhur në ndihmë, që do të jetë pagë apo pagesë papunësie, pasi vijojmë t’i qëndrojmë faktit se marrëdhënia mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, duhet të gjejë një zgjidhje të përbashkët, përtej ndërhyrjes së mundshme të Qeverisë. Kjo masë nuk do të jetë një ndërhyrje në sistemin e funksionit të administrimit, por shteti do të jetë në rolin e rregullatorit, dhe mirëkuptimi i naftëtarëve është thelbësor.
Sipas këtij vendimi, Qeveria ka vendosur të japë çdo naftëtari një pagesë mujore prej 40 mijë lekësh, duke i mbajtur në çdo rast në skemën e sigurimeve shoqërore.
Kështu duke vlerësuar të gjithë situatën, është vendosur që të merren paga dy e nga dy për 2 muajt e parë, pastaj paga mujore.
Kjo skemë për ti dhënë mundësi naftëtarëve që t’i rikthehen një jetese normale në këtë situatë të pandemisë.
Fondi do të mbulojë një pagë mujore për naftëtarët për një periudhë 12 mujore.