Postuar më: 11/05/2020

Miratohet Vendimi, rimbursohen interesat e huave të garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve të prekur nga COVID-19

 

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përmes të cilit synohet rimbursimi i interesave të huave që do të jenë pjesë e garancisë së parë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve që janë prekur nga situata e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 në vend.

Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin Nr. 277, datë 6.4.2020, “Për miratimin e Garancisë Shtetërore të Huasë me Bankat e Nivelit të Dytë për Pagat e Tregtarëve ose Shoqërive Tregtare, aktiviteti i të cilave është prekur nga vendimet e Këshillit të Ministrave, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”.

 

Qëllimi i këtij vendimi është të rimbursojë interesat e huave që do të jenë pjesë e garancisë së parë shtetërore të huasë, e cila është miratuar nëpërmjet vendimit Nr.277, datë 6.4.2020. Rimbursimi i interesave të huave do të reduktojë barrën e tregtarëve dhe shoqërive tregtare që përfitojnë nga kjo Marrëveshje Garancie.

 

Ky vendim është në përputhje të plotë me Programin Politik të Këshillit të Ministrave për mbështetjen e sektorit privat, duke synuar zbutjen e efekteve financiare të krijuara nga masat e marra nga qeveria në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.  Miratimi i këtij vendimi vjen si nevojë e emergjencës së krijuar në kuadër të përballimit të situatës së shkaktuar nga COVID-19.

 

Ai parashikohet të ketë një ndikim të rëndësishëm në sektorin privat në sigurimin e fondeve për vijimësinë e pagesës së punonjësve. Përparësia e këtij vendimi konsiston në lehtësimin afatshkurtër të pasojave ekonomike të krijuara nga përhapja e COVID 19. Qëllimi kryesor i kësaj skeme është mbështetja e tregtarëve dhe shoqërive tregtare duke bërë të mundur mosndërprerjen e pagave për punonjësit e tyre, si edhe duke garantuar një pikënisje më të sigurt për tregtarët dhe shoqëritë tregtare në momentin e rifillimit të aktivitetit pas përfundimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

 

Vendimi është hartuar në përputhje me  Nenin 100 të Kushtetutës; Nenin 34-43 të Ligjit Nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Nenin 57 të ligjit Nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;  Ligjin Nr.7850, datë 29.07.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; Aktin Normativ Nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 88/2019”; si edhe me pikën 6, të Vendimit Nr. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.