Postuar më: 29/05/2020

Miratohen në Kuvend 3 Akte Normative, mbështetje e rëndësishme ndaj bizneseve dhe ekonomisë shqiptare

 

Kuvendi miratoi gjatë seancës plenare aktet normative, përmes së cilave synohet që të ndihmohen j vetëm sipërmarrjet, por edhe ekonomia shqiptare, përkatësisht:

 

– Akti normativ nr. 17, datë 22.04.2020 “Për përjashtimin e zbatimit të procedurave dhe të afateve për përgatitjen e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për vitin 2020”.

– Akti normativ nr. 18, datë 23.04.2020, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””.

– Akti normativ nr. 19, datë 23.04.2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.”

Në lidhje me aktet normative, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë znj. Anila Denaj sqaroi se krijimi i një kuadri rregullator ndihmon në veçanti tatimpaguesit, përmes shtyrjes së disa detyrimeve tatimore.

Gjithashtu u miratua edhe ligji “Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI).

Një huamarrje e cila do të ndihmojë në financimin e ekonomisë, për të dalë nga emergjenca e shkaktuar ga pandemia.

 

 

——————-

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

 

I nderuar Kryetar i Seancës,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar Deputetë dhe Qytetarë,

 

Ditën e sotme diskutojmë akte të lidhura ngushtësisht me mbështetjen ndaj bizneseve dhe ekonomisë shqiptare dhe mbarëvajtjen e proceseve të buxhetimit për Qeverinë Shqiptare.

Së pari dëshiroj të prezantoj në mënyrë të përmbledhur 2 Aktet Normative me ndikim të drejtpërdrejt për bizneset, të lidhura me trajtimin fiskal të sipërmarrësve:

  • Akti Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8438, datë 28.12.1998 “për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar”
  • Aktin normativ “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”

 

Kushtet e krijuara nga pandemia dhe masat për parandalimin e përhapjes së saj, bën të nevojshëm krijimin e një kuadri rregullator i cili ndihmon tatimpaguesit përmes shtyrjes së disa detyrimeve tatimore.

Për këtë qëllim më herët gjatë situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Parlamenti ka miratuar shtyrjen paraprake të afateve te parapagimit të kësteve të tatimi fitmit per vitin 2020 per tatimpaguesit me qarkullim nen 14 milion si dhe afateve per pagesen e tatim fitimit per vitin 2020.

  • Këto masa lehtësuan mbi 50% të bizneseve në vend.
  • Vetëm në fashën e qarkullimit deri ne 14 Milion, ndihmuan rreth 49 Mijë biznese.
  • Mbi 25 mijë biznese përfitojnë nga shtyrja e afatit të deklarimit të bilanceve.

Ndryshimet që burojnë nga projektakti “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, në mënyrë të detajuar:

  • Për bizneset me qarkullim deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e parapagimeve të tatim-fitimit të vitit 2020 nuk do të paguhen.
  • Për biznesetme qarkullim mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore të tremujorit të dytë dhe të tretë, prill-qershor dhe korrik-shtator 2020, nuk do të parapaguhen.

Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-shtator 2021.

Përjashtohen nga shtyrja  bizneset që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e veprimtarisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtimit të produkteve farmaceutike, të produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve

 

  • Këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020, për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center nuk do të parapaguhen.

Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-dhjetor 2021.

 

  • Shtyhet afati i dorëzimit të deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2019 dhe pagesa e detyrimit nëse ka, bëhet jo më nga data 30 prill në 31 korrik 2020.

 

Në të njëjtën frymë, Akti normativ “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”

Përcakton se:

  1. Subjektet me xhiro 5-8 Milion lekë, pagesat e kësteve të parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në vitin 2020 nuk do të paguhen.

 

  1. Përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë e investimeve në funksion të programeve të rindërtimit, sipas dispozitave të ligjit “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me qëllim uljen e kostove për rehabilitimin e komuniteteve të prekura, si pasojë e fatkeqësive natyrore.

Ky ndryshim është në linjë me vendimmarrjen e Qeverisë Shqiptare për një kuadër rregullator, i cili lehtëson dhe mbështet procesei për rehabilitimin dhe rindërtimin e komuniteteve dhe territoreve të prekura nga tërmeti I nëntorit 2019 dhe që do të përfitojnë nga Programi i Rindërtimit.

Së treti, Akti Normativ “Për mos zbatimin e procedurave dhe afateve për përgatitjen e projekt-dokumentit të programit buxhetor afatmesëm për vitin 2020” ka për synim të pezullojë fazën e parë të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2021-2023, si rrjedhojë e situatës të shkaktuar nga COVID -19.

Realizimi i procesit të përgatitjes së projektit të Programit Buxhetor Afatmesëm, është i mbështetur në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, ku janë përcaktuar qartësisht procedurat, përgjegjësitë e aktorëve si dhe afatet strikte kohore për realizimin e tij.

Pandemia e COVID-19, krijoi një situatë të re dhe një nevojë për rishikim të indikatorëve kryesorë makroekonomikë dhe fiskal për vitin 2020, fokusuar në adresimin e prioritetit shëndetësor dhe impaktit të tij ekonomik.

Në këto kushte, lind një nevojë e qartë për qeverisjen për një planifikim të saktë të tavaneve buxhetore bazuar në një kuadër të qartë, I cili përfshin të gjitha masat e Qeverisë Shqiptare për plotësimin e nevojave të qytetarëve dhe cdo parashikim ose politikë të re për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu, situata e krijuar prej COVID-19 e bënte të pamundur dhe konsultimin e kërkesave buxhetore në kuadër të PBA 2021-2023 me organizatat e shoqërisë civile, një etapë e rëndësishme në këtë proces dhe e parashikuar në amendimet e bëra në vitin 2016 të Ligjit Organik të Buxhetit.

Nisur nga sa më sipër, miratimi i këtij Akti Normativ për mos zbatimin e procedurave dhe afateve të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm 2021-2023 (Faza 1) paraqitet si një domosdoshmëri në kuadër të masave të ndërmarra për menaxhimin e pandemisë COVID -19 në vend.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se ky projekt-akt nuk afekton fazën e dytë të përgatitjes së PBA 2021-2023 dhe të projektbuxhetit të vitit 2021, të cilat parashikohen të vijojnë normalisht dhe konform afateve të parashikuara në ligjin nr. 9936 datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Së fundmi, të nderuar, më lejoni të paraqes përpara jush dhe qytetarëve shqiptarë Projektligjin “Për Miratimin e Huamarrjes nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nёpёrmjet Instrumentit tё Financimit tё Shpejtё”.

 

Menjëherë pas vlerësimit për një impakt në indikatorët makroekonomikë, në deficitin buxhetor, në rënie të të ardhurave si rrjedhojë e pandemisë, Qeveria Shqiptare negocioi me Fondin Monetar Ndërkombëtar për aktivizimin e shpejtë të këtij instrumenti me kushte të favorshme dhe mobilizim të menjëhrshëm.

Injektimi i kësaj huaje, prej 139.3 mln SDR ose 190 mln euro, në ekonomi do t’I shërbejë procesit të përballimit te situatës dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Maturimi i kësaj huaje të butë do të jetë në hapësirën 3.5 – 5 vjet dhe interesi 4.05%.

Mundësia e përfitimit nga paketa e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në kuadër të COVID19, pa parakushte apo nevojë të plotësimit të kritereve të caktuara, është një shenjë e fortë e besimit të FMN-së në reformat e ndërmarra dhe ato në proces nga Qeveria Shqiptare.

Ju faleminderit