Postuar më: 08/10/2019

Ministrja Denaj: Ulja e informalitetit, ndërgjegjësim i biznesit për pasqyra të shëndetshme financiare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë në konferencën “Sfidat e raportimit financiar në kuadër të ndryshimeve ligjore për vitin 2019 dhe rezultatet e anketimit të CFO-ve”.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj foli mbi rëndësinë që ka profesioni i kontabilistit dhe audituesit në hartimin e pasqyrave të shëndetshme financiare, uljen e informalitetit në ekonomi, si dhe në tendencën rritëse të kreditimit pwr bizneset.

Ministrja theksoi se informaliteti nuk mund të luftohet vetëm nëpërmjet inspektimeve dhe se pasqyrat financiare, si dhe  një sistem auditimi i shëndoshë do të ndihmojnë MFE dhe institucionet e saj të varësisë në luftën kundër informalitetit.

Në dy vitet e fundit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare. Këto ndryshime, theksoi znj. Denaj, sollën disa risi si: klasifikimi i njësive ekonomike vetëm për qëllime të raportimit financiar; specifikime për hartimin e jo të pasqyrave financiare; si dhe nivel më i lartë transparences përmes shënimeve shpjeguese.

Megjithatë, Ministrja vuri në dukje se ka ende shumë punë për të bërë në këtë aspekt dhe ftoi aktorët e interesuar për propozime të reja, për një kuadër ligjor sa më real për t’u zbatuar dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Ministrja nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të biznesit, sidomos atij të mesëm dhe të vogël, për pasqyrat financiare.

“Në disa vite ne do të shkojmë drejt tregjeve të kapitaleve. Ngërçet do të ishin të mëdha nëse pas krijimit të kuadrit rregullator kompanitë nuk janë në gjendje t’i aksesojnë këto tregje. Ndërkohë, direktivat e BE janë një parakusht në procesin e integrimit. Kështu që, për të gjitha këto aspekte rregullatore, mendoj se është koha që të përshpejtojmë ndërgjegjësimin e biznesit përse ju duhet një pasqyrë financiare e shëndetshme dhe një auditim i mirëpritur për ata vetë, si edhe për rolin e MFE në disa reforma të ndërmarra”, u shpreh Ministrja.