Postuar më: 19/11/2019

Ministrja Denaj: Të angazhuar për të lehtësuar përfshirjen në tregun e punës të Personave me Aftësi të Kufizuar

 

Në Shqipëri, në katër vitet e fundit, falë politikave të ndërmarra dhe zbatimit të programave të dedikuara janë punësuar gjithsej 318 Persona me Aftësi të Kufizuar, ndërsa 177 persona janë punësuar nëpërmjet shërbimeve të ndërmjetësimit nga Zyrat e Punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj mori pjesë në Konferencën përmbyllëse të programit “Fuqizimi Ekonomik i Personave me Aftësi të Kufizuara përmes Punësimit”, të mbështetur nga Zyra e USAID në Shqipëri.

Ministrja Denaj së bashku me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Leyla Moses – Ones dhe zëvendësministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Bardhylka Kospiri vlerësuan rezultatet e arritura nga zbatimi i programit të nisur prej vitit 2010 nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në bashkitë Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.

Gjatë fjalës së saj znj. Denaj vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e aksesit në tregun e punës të Personave me Aftësi të Kufizuar, përmes programeve të posaçme dhe të dedikuara, që kanë kontribuar në lehtësimin e integrimit të tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit.

“Politikat e tregut të punës në Shqipëri sot, ofrojnë një paketë shërbimesh dhe programesh për të lehtësuar kalimin e individëve në punë të mirë. Ndihmë më intensive dhe më e synuar u jepet atyre që kategorizohen si ‘të vështirë për t’u vendosur në punë’ siç janë dhe personat me aftësi të kufizuara (PAK)”, tha ministrja Denaj.

Një theks të veçantë, ministrja vendosi tek Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019-2022 dhe te ligji i ri “Për nxitjen e Punësimit’ dhe Fondit Social të Punësimit, si dy iniciativat më të afërta të ndërmarra.

Në përputhje me vizionin e qeverisë, kjo strategji synon të mbështesë përfshirjen në tregun e punës të grupeve vulnerabël, ku janë përfshirë dhe PAK. Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të sjellë rezultatet përfundimtare të kuadrit rregullator brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

Sipas të dhënave për këtë program numri i PAK të përfshirë është rritur nga 17 pjesëmarrës në vitin 2014 në 108 pjesëmarrës në vitin 2018.

Në qendrat publike të formimit profesional sot ofrohen libra shkollorë dhe materiale mësimore për 42 kurse nga 52, të rishikuara në lidhje me gjininë dhe gjuhën të ndjeshme ndaj personave me aftësi të kufizuara.