Postuar më: 28/02/2020

Ministrja Denaj takohet me Ambasadorin e Norvegjisë, diskutohet mbi intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, priti në një takim Ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl, gjatë të cilit u vlerësuan marrëdhëniet në rritje mes Shqipërisë dhe Norvegjisë.

Ministrja Denaj shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e qeverisë shqiptare për vëmendjen që Norvegjia tregon ndaj Shqipërisë dhe rajonit në përgjithësi, si dhe theksoi se ky bashkëpunim duhet intensifikuar më tej, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike.

Ministrja bëri një prezantim të zhvillimeve kryesore ekonomike dhe financiare të vendit tonë dhe theksoi se fokusi për zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë vendase do të mbetet tërheqja e investimeve te huaja direkte me prioritet në sektorët ku ekonomia shqiptare ka potencial të pashfrytëzuar, si në aspektin e burimeve natyrore, ashtu dhe në zhvillimin e sektorëve që ende nuk janë duke performuar me potencialin e tyre të plotë. Të tillë sektorë janë: sektori i energjisë së rinovueshme, sektori i turizmit, sektori i agrobiznesit, sektori i infrastrukturës, formimi dhe arsimi profesional e teknologjia e informacionit.

Ministrja tha se Shqipëria ka përshtatur një kuadër ligjor liberal me qëllim krijimin e një klime të favorshme investimi për investitorët e huaj dhe projektligji i unifikuar për investimet do të ofrojë më shumë garanci për investitorët e huaj.

Nga ana e tij, Ambasadori Grondahl shprehu angazhimin dhe interesin e qeverisë norvegjeze për të intensifikuar më tej marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi mbështetjen e Norvegjisë në proçesin e integrimit evropian dhe shkëmbimi i eksperiencës norvegjeze për përafrimin e legjislacionit vendas me acqius.