Postuar më: 18/11/2019

Ministrja Denaj: Projektbuxheti 2020, shpenzimet publike në nivelin e 29.7% të PBB

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave shpenzimet e Projektbuxhetit 2020, të cilat do të jenë rreth 532 miliardë lekë ose 29.7 % e Produktit të Brendshëm bruto, me një rritje prej 5.1% krahasuar më të pritshmin e vitit 2019.

Vetëm shpenzimet e personelit janë të programuar në masën 83.5 miliardë lekë për vitin e ardhshëm. Ministrja Denaj sqaroi se vendin kryesor e zënë efektet shtesë në zërin “Shpenzime personeli” që i atribuohen Reformës në Drejtësi, që kapin vlerën e 3.5 miliardë lekë.

Sa i përket investimeve publike për vitin 2020, Ministrja bëri me dije se ato janë planifikuar në nivelin e 4.7% të Produktit të Brendshëm Bruto ose rreth 84 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 4% kundrejt të pritshmit të këtij viti.

Ministrja nënvizoi faktin se në vitin 2020 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit 2021.

Në sektorin e arsimit synohet dyfishimi i investimeve për arsimin e lartë nga 340.5 milionë në vitin 2019 me mesatarisht 750 milionë lekë në vit, përgjatë 2020 – 2022, e cila do të fokusohet në zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese mësimdhënëse dhe akomoduese të universiteteve publike.

Në sektorin e shëndetësisë synohet rikonstruksioni i 120 qendrave shëndetësore për vitin 2020, me një vlerë prej 350 milionë lekë. Këto qendra do të mobilohen dhe pajisen me pajisje mjekësore me një vlerë prej 64 milionë lekë për vitin 2020 dhe 30 milionë lekë për vitin 2021.

Për infrastrukturën rajonale dhe vendore synohet: përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për zonat me potencial të madh turizmi; avancimi i projekteve në kuadër të Projektit “100 Fshatrat”; ndërtimi dhe rehabilitimi i segmenteve rrugore që lidhin dhe afrojnë rajonet dhe fshatrat me akset nacionale;

Në sektorin e mbrojtjes synohet përmirësimi dhe modernizimi i infrastrukturës mbrojtëse të vendit në përputhje me standardet e NATO-s.

Në Projektbuxhetin e vitit 2020 është programuar rritje për buxhetin vendor. Për vitin e ardhshëm, buxheti i pushtetit vendor do të jetë rreth 57 miliard lekë, rreth 11.2 përqind më i lartë se ai i 2019-ës.

Ministrja theksoi se rritja e burimeve të buxhetit vendor në vitin 2020 krijon më shumë hapësira për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe njëkohësisht për uljen e stokut të detyrimeve të prapambetura të trashëguara nga ndarja e vjetër administrativo territoriale.

“Fokusi kryesor në buxhetin vendor të vitit 2020, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, do të jetë konsolidimi i procesit të menaxhimit financiar në nivel vendor në funksion të vazhdimit të zbatimit të reformës administrativo territoriale dhe decentralizimit fiskal të njësive të vetëqeverisjes vendore”, u shpreh znj. Denaj.

Sa i përket çështjes së rritjes së pagave në administratën publike, Ministrja nënvizoi faktin se ajo është një politikë e re buxhetore dhe si e tillë duhet shumë kujdes në planifikimin e saj, si dhe në efektet financiare shtesë që prodhon. Ministrja përmendi faktin se, përgjatë periudhës 2014-2019, qeveria ka materializuar 2 politika të rritjes së pagave, në vitin 2017 dhe vitin 2019, ndërsa bëri me dije se aktualisht po punohet me Departamentin e Administratës Publike dhe me asistencën teknike të ofruar nga BE, në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Reformës në Administratën Publike, për të rishikuar hierarkinë dhe sistemin e pagave të shërbimit civil me qëllim forcimin më tej të elementit “karrierë” në administratën publike me ofrimin e incentivave financiarë shtesë për këtë qëllim.

Sa i përket shpenzimeve të tjera buxhetore:

Shpenzimet e fondeve speciale:

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2020 parashikohet në masën 137.5 miliardë lekë ose 7.7% e PBB, raport thuajse i njëjtë me vitin 2019.

Në skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2020 janë parashikuar në rreth 44 miliardë lekë ose 2.5% e PBB nga rreth 42 miliardë lekë të parashikuara në fund të vitit 2019. Edhe në këtë vit, projektligji i buxhetit 2020 parashikon një tavan prej 11 miliardë lekë për skemën e rimbursimit të barnave.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total rreth 4,5 miliardë lekë. fondi i kompensimit është planifikuar në rritje nga vit në vit duke kulmuar në vitin 2022 me 5.5 miliardë lekë.

Shpenzime të tjera sociale janë programuar në masën 24.6 miliardë lekë, që përfshijnë:

Shpenzimet për pagesën e papunësisë në nivelin 600 milionë lekë. Shpenzimet për këtë zë kanë ardhur në rënie të vazhdueshme që prej vitit 2014 ku shënuan 900 milionë lekë. Kjo falë politikave pro-punësim që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë kjo Qeveri.

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar në nivelin 21 miliardë lekë. Për rritjen e eficencës dhe efektivitetit të këtyre dy skemave që zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve totale buxhetore, aktualisht po bashkëpunohet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të “pastruar” skemat nga përfitues abuzues, si dhe duke forcuar sistemet e vlerësimit të përfitueshmërisë nga këto skema.

Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë, i cili do të synojë kryesisht shlyerjen e kësteve për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve.

Për bonusin e lindjeve sërish është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë Edhe në këtë vit, nga kjo politikë pritet të përfitojnë rreth 30 mijë familje gjatë 2020.

-Në 2020, në sistemin parashkollor do të jenë 440 edukatore më shumë se sa në vitin 2019, që janë shpërndarë në 32 bashki të cilat kanë një nevojë më të madhe për shtimin e edukatorëve, e matur nga raporti “fëmijë për edukatorë”.

-Shpenzimet Operative dhe të Mirëmbajtjes programohen në vlerën 50 miliardë lekë me një rritje të kujdesshme prej 4.4% ndaj të pritshmit të vitit 2019. Mirëmbajtja e rrjetit kombëtar rrugor do të ketë një mbështetje të konsiderueshme dhe për vitin 2020, ku krahas 1.6 miliardë lekë që parashikohen për vitin 2020 me financim të brendshëm, parashikohen rreth 1.8 miliardë lekë që do të financohen në këtë vit nga projekti i Mirëmbajtjes me Bankën Botërore, duke e çuar në total financimin në 3.4 miliardë lekë.

-Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 40.9 miliardë lekë ose 2.3% të PBB, të cilat përfshijnë kontigjenca të mjaftueshme për të përballuar edhe nëse do të kishte një rritje normave të interesit nga 1 deri në 2 pikë përqindje mbi nivelin aktual.

-Subvencionet programohen në rreth 1.3 miliardë lekë. Këtu është faktorizuar ri-alokimi i një pjese të mirë të subvencionit të parashikuar për ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizime tek investimet publike për rehabilitimin dhe ndërtimin e rrjeteve të ujesjellës-kanalizimeve.