Postuar më: 18/11/2019

Ministrja Denaj prezanton Projektbuxhetin 2020 në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë , znj. Anila Denaj, prezantoi në parim Projekbuxhetin 2020 në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.

Përpara deputetëve të komisionit, Ministrja Denaj u shpreh se nëpërmjet Projektbuxhetit 2020, MFE mbetet e angazhuar drejt një kuadri makroekonomik të kujdesshëm dhe realist, për një konsolidim fiskal të vazhduar, financa publike të forta, stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë.

“Në terma të politikave dhe indikatorëve makroekonomikë, ky buxhet synon realizimin e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4.1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.

Kjo rritje e parashikuar për 2020 do të përkthehet në më shumë punësim:  krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune dhe uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%”, u shpreh Ministrja Denaj.

Projektbuxheti i vitit 2020 siguron një nivel të lartë të investimeve publike prej mbi 4.5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Gjithashtu, synohet ruajta e Balancës Primare Pozitive, e cila do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0.7%, duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse, ndërsa në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62.2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022.

Përmes projektbuxhetit synohet mbajtja e deficitit buxhetor nën nivelin e 2%, ku për vitin 2020 planifikohet të jetë në nivelin 1.6% të Produktit të Brendshëm Bruto, miveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.

Shpenzimet buxhetore të programuara për vitin 2020 janë rreth 532 miliardë lekë ose rreth 29.7% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje rreth 5.1% krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.

Ministrja Denaj theksoi se prioritet në projektbuxhetin e vitit 2020 është mbështetja për sektorët prioritarë : arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura.

Më konkretisht: Arsimit është parashikuar t’i alokohen 3.3 miliardë lekë më shumë se buxheti viti 2019; Shëndetësisë 2.75 miliardë lekë më tepër se viti 2019 dhe Bujqësisë 1.8 miliardë lekë më shumë se viti 2019 ose rreth 12% më tepër.