Postuar më: 28/07/2020

Ministrja Denaj në Komisionet Parlamentare për Projektligji “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”

Gjatë javës Komisionet Parlamentare kanë diskutuar projektligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, ku janë dhënë shpjegimet e nevojshme për risitë që ky projektligj sjell dhe të drejtat dhe detyrimet e subjekteve private në raport me ligjin.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrimin Evropian, Ministrja Denaj  theksoi se ky është një projektligj, i cili buron edhe nga detyrat e grupit të punës për zbatimin  e rekomandimeve të MONEYVAL.

Ministrja Denaj solli në vëmendje se: “…nëpërmjet përkufizimit të pronarit përfitues, synohet të identifikohet pronari përfitues, I cili ka në pronësi ose ushtron kontrollin e fundit efektiv ndaj një personi juridik, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe identifikuar me NUIS/NIPT”.

Ky projektligj rregullon procedurën dhe mënyrën e mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe parashikon masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues apo mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të përcaktuara në legjislacion.

Ky Regjistër, në vijim të krijimit të tij, do të administrohet nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

***

Qëllimi i këtij projektligji është krijimi, funksionimi dhe administrimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues, në funksion të së cilës përkufizohet termi “pronar përfitues” i subjekteve të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë detyrimin ligjor të regjistrojnë pronarin përfitues duke rregulluar të drejtat dhe detyrimet përkatëse të tyre.

Aktualisht, referuar dispozitave ligjore në fuqi, subjektet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe të dhënat e tyre, ndër të tjera, lidhur me objektin e aktivitetin dhe gjendjen e ortakërisë, regjistrohen dhe administrohen në Regjistrin Tregtar (QKB) dhe në Regjistrin e Organizatave jofitimprurëse (aktualisht Gjykatë-DPT).

Projektligji përafron pjesërisht Direktivën (BE) 2015/849 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, data 20 maj 2015, “Për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave ose të financimit të terrorizmit, që ndryshon rregulloren (BE) nr.648/2012 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, dhe që shfuqizon direktivën 2005/60/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit dhe direktivën e komisionit 2006/70/KE”.