Postuar më: 05/08/2020

Ministrja Denaj në kantinën e verës “Nurellari” në Berat: Të nxisim produktet “Made in Albania”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një vizitë në kantinën e verës “Nurellari”, në Berat, ku me vizion e punë është ndërtuar një biznes i suksesshëm dhe një strukturë e bukur mikpritjeje, për të kaluar natën në bujtinën pranë saj.
Ky biznes familjar parashikon të rrisë edhe më tej kapacitetet prodhuese dhe ato akomoduese për të pritur turistët vendas e të huaj, falë edhe mbështetjes nga AZHBR.
Ministrja Denaj u shpreh se “skema e mbështetjes financiare për të nxitur dhe promovuar produktet e certifikuara “Made in Albania”, po jep rezultate mbresëlënëse”.

“Deri tani ju keni pasur mbështetjen edhe të fondeve të IPARD, por edhe të mbështetjes së fondeve nacionale. Sot gjithnjë e më tepër ndihemi krenar për prodhimin vendas dhe nuk e bëjmë vetëm për atë që është blerje patriotike, sepse shija nuk lidhet me patriotizimin, por do të thotë se cilësia ka arritur në atë standard që të jetë konkuruese dhe të jetë në tavolinat tona”, tha Ministrja gjatë bashkëbisedimit.
Denaj shtoi se “janë mundësitë për t’u gërshetuar të dyja, skemat e IPARD dhe mbështetja me Garancitë Sovrane”.
“Garancia në kreditim është e rëndësishme për t’i treguar jo vetëm biznesit mbështetjen e qeverisë, sidomos për automatizim të plotë të financimit të skemave edhe ndërkombëtare si IPARD. Garancitë i shërbejnë edhe bankave të cilat shpesh e kanë hezitimin për të kredituar sektorin e bujqësisë apo agropërpunimit”, tha Denaj.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë po zhvillon vizita në biznese që zhvillojnë aktivitetin ekonomik në fusha të ndryshme, në kuadër të turit të komunikimit të drejtpërdrejtë.