Postuar më: 15/04/2020

Ministrja Denaj mbledh Këshillin e Investimeve, diskutohet lidhur me impaktin e pandemisë COVID-19 mbi biznesin në Shqipëri

Nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, u zhvillua mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Investimeve, ku diskutimet u përqendruan në situatën e krijuar në vend për shkak të pandemisë së virusit COVID 19, masave financiare dhe ekonomike që janë ndërmarrë deri më tani nga qeveria për të përballuar pasojat dhe masave të mundshme që mund të merren në të ardhmen.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme u thirr nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, në vijim të kërkesës së zhvillimit të një anketimi nga Këshilli i Investimeve mbi vlerësimin e impaktit të pandemisë COVID-19 mbi biznesin në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Ministrja Anila Denaj u shpreh se objektivi i kësaj mbledhje të jashtëzakonshme është komunikimi mes palëve në Këshillin e Investimeve, si një format i përhershëm i dialogut mes biznesit dhe qeverisë, për tema të cilat shqetësojnë në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht sipërmarrësit.

“Në situatën që ne ndodhemi, pas shpalljes së fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19, nuk mund të linim pa adresuar komunikimin në raport me të gjithë bizneset dhe grupet e interesit që janë sot në një masë të madhe të përfshira, jo vetëm nëpërmjet anketimit, por edhe nëpërmjet prezencës fizike këtu, në këtë komunikim, me objektivin e vetëm për të ridimensionuar çfarë është bërë deri më sot, çfarë duhet dhe çfarë mund të bëhet në vijim. Sa më sipër, jo vetëm përgjatë periudhës së lidhur me pezullimin, si rezultat i masave për të përmirësuar sa të mundemi situatën e shëndetit, por njëkohësisht për të ridimensionuar elementë kyç të ekonomisë, si në këto momente, ashtu edhe post COVID 19”, tha znj. Denaj.

Duke iu referuar anketimit, i cili është zhvilluar me rreth 360 biznese, Ministrja vlerësoi se ky numër i konsiderueshëm i bizneseve pjesëmarrëse tregon së pari interesin për të dialogur me qeverinë, ndërsa shtoi, se rezultatet e anketimit tregojnë se në përgjithësi bizneset vlerësojnë masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria.

Kështu, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredive është masa më e mirë e marrë nga qeveria, e ndjekur nga garancia sovrane dhe shtyrja e afatit të dorëzimit të PF.

Po ashtu, bizneset me të ardhura më pak se 14 milionë mendojnë se masat mbështetëse ndaj biznesit të vogël, e shoqëruar nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës së tatim-fitimit janë efektive.

“Bizneset kanë vlerësuar masat që ka marrë qeveria shqiptare dhe sigurisht disa masa janë vlerësuar më shumë se disa të tjera. Konkretisht, bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë mendojnë se shtyrja e afatit të pagesës së kredisë është masa shumë e mirë e marrë dhe në kohën e duhur nga qeveria, sigurisht e ndjekur dhe nga garancia sovrane, e cila në paketën e dytë zgjeron dhe përfshin dhe nevojat që ka adresuar biznesi, në komunikimet që janë zhvilluar, në raport me nevojën që kjo garanci bankare të mos ishte e fokusuar vetëm te pagat, por edhe për nevoja likujditeti në raport me blerjen e mallrave dhe qarkullime të aktivitetit në veçanti. Sigurisht mbështetja e biznesit të vogël është vlerësuar në këtë anketë si një masë mbështetëse shumë e rëndësishme e cila, e shoqëruar edhe nga pagesa e pagave dhe riskedulimi i pagesës së tatim fitimit sjellin efektivitet dhe likujditet të shtuar në sektorë të cilët i takojnë këtyre bizneseve”, u shpreh Ministrja.

Diskutimet e pjesëmarrësve vijuan edhe mbi katër çështjet të vëna në dukje nga sondazhi si papunësia, rimbursimi i TVSH-së dhe zbutja e gjobave nga administrata tatimore, likuiditeti dhe rigjenerimi i agroindustrisë me skema të plota mbështetjeje dhe subvencioni.

Me mjaft rëndësi, sipas Ministres Denaj, është diskutimi me anëtarët e Këshillit të Investimeve lidhur me nevojën për ridimensionimin e zhvillimit ekonomik në periudhë afatmesme në disa sektorë kyç, të cilët së fundmi janë prekur nga pandemia COVID-19, ndërsa më parë nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

“Një temë të tillë ne e kemi diskutuar në fund të vitit 2019, ku është kërkuar dhe është punuar me grupet teknike për 3 sektorë të rëndësishëm siç është bujqësia, turizmi dhe energjia.

Besoj që nuk ka kohë më të vlefshme se sa kjo aktuale që ne ta ridimensionojmë diskutimin e kësaj mbledhjeje të fundit të vitit 2019 me dy situata shumë të vështira që kalon Shqipëria, si në aspektin lokal, atë të tërmetit, ashtu edhe atë global, pandemisë së COVID-19, dhe ne të kemi mundësi që, për atë që u anonçua si paketa e tretë, të flasim për një paketë rimëkëmbje të një zhvillimi afatmesëm të sektorëve kyç, me mësime se si këto sektorë mund të ridimensionohen në të ardhmen, sikurse edhe ajo që unë kam anonçuar më parë, rivlerësimi i të gjithë paketës fiskale, e orientuar kryesisht nga FMN, në atë që është strategjia afatmesme e të ardhurave”, u shpreh Ministrja.

Gjatë takimit të Këshillit të Investimeve u diskutua gjithashtu mbi produktet Made in Albania, çështje që lidhen me ecurinë e biznesit në vijim.

Përfaqësuesit e biznesit gjithashtu kërkuan që nga ana e Qeverisë të merren masa si në raport me disa industri të caktuara si ato fasonë, për të mbajtur në punë punonjësit, si dhe për ridimensionimin e kërkesave për penalitetet të cilat duhet të zbuten në këtë periudhë, si dhe për pushtetin vendor, i cili duhet të reflektojë me lehtesimin e taksave.

Ndërkohë, Ministrja Denaj informoi bizneset edhe mbi paketën e dytë financiare të hartuar nga qeveria për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve të prekura për shkak të COVID-19, ndërsa pohoi se një pjesë e masave të përfshira në këtë paketë janë edhe sugjerime të vetë biznesit.