Postuar më: 20/11/2019

Ministrja Denaj: Koncensionet më të monitoruara, respektohen rregullat fiskalë, minimizim risqesh

Koncesionet dhe kontratat e Partneritetit Publik Privat u diskutuan në mbledhjen e radhës të komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të Projektbuxhetit të vitit 2020.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, informoi dhe sqaroi deputetët mbi çështje që lidhen pikërisht me kontratat koncesionare/PPP në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Ministrja garantoi se Projektbuxheti i vitit 2020 do të respektojë detyrimet dhe përcaktimet ligjore lidhur me pagesat për koncesionet, një prej të cilëve është përcaktimi që “shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor”.

Ministrja Denaj bëri me dije se në projektbuxhet është evidentuar qartë se, për vitin 2020, respektohet dukshëm kufiri prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, i vitit 2019, pasi kap një shifër prej 3.3% të këtij totali.

“Nëse do të shkojmë akoma dhe më tej me parashikimet përtej këtij viti, do të shikoni në  relacion se pagesat për vitet 2021 dhe vitet 2022 kapin vlerat respektive 3.3 dhe 3.0%”, u shpreh znj. Denaj.

Gjatë rivlerësimit të projekteve koncesionare/PPP nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, vëmendje e veçantë i është kushtuar testit nëse këto projekte llogariten brenda apo jashtë stokut të Borxhit Publik.

Ministrja informoi se, deri në këtë moment, të gjitha projektet koncesionare/PPP të shqyrtuara nga ana e MFE kanë rezultuar “Jashtë” Bilancit të Qeverisë, duke qënë se sipas standardeve të ESA 95, pjesa më e madhe e risqeve të lidhura me projektin koncesionar/PPP i mbart sektori privat, në mënyrë të veçantë Riskun e Ndërtimit dhe atë të Disponueshmërisë.

Pavarësisht kësaj, Ministrja Denaj theksoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka një rol gjithnjë e më të madh monitorues sa i përket kontratave koncesionare/PPP, me qëllim respektimin e rregullave fiskalë dhe minimizimin apo eliminimin e risqeve që implikojnë buxhetin.

Në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies lidhur me koncesionet/PPP, znj. Denaj bëri me dije se MFE, bazuar në raportimet periodike, takimeve të zhvilluara me përfaqësues të Autoriteteve Kontraktore, dhe me asistencën teknike të BB, ka finalizuar Raportin Paraprak të Përmbledhur të Monitorimit të Kontratave Koncesionare/PPP, ku prezantohet një pamje e përgjithshme e situatës së kontratave koncesionare/PPP në vend, i cili do të publikohet së shpejti.

Gjithashtu, MFE do të përfundojë se shpejti përgatitjen e 3 projekt-vendimeve që burojnë si detyrim i amendimeve të bëra në muajin Shtator 2019, të ligjit 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i ndryshuar. Këto akte do të shërbejnë për të përcaktuar rregullat të detajuara në lidhje me funksionimin e Komitetit të Përzgjedhjes të Projekteve të Koncesionit/PPP.

Ministrja theksoi faktin se, me qëllim rritjen e transparencës dhe trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët në procedurën konkurruese, është hequr mekanizmi i shpërblimit me pikë bonus, të operatorëve të cilët paraqesin propozim të pakërkuar.

“Për të nxitur sektorin privat për të propozuar projekte të studiuara duke përdorur kapacitetet dhe eksperiencën e tyre, është propozuar zevendësimi i sistemit me pikë bonus me atë të kompensimit në vlerë monetare të propozuesit të pakërkuar për shpenzimet e kryera, në rast se ky i fundit nuk shpallet fitues.  Por gjithësesi në çdo rast, vlera e kompensimit nuk mund të jetë më e lartë se 1% e vlerës së investimit. Mekanizmi i propozuar i kompensimit nuk cënon konkurrencën dhe nuk avantazhon propozuesin e pakërkuar”, u shpreh Ministrja.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja informoi deputetët edhe mbi numrin e kontratave koncesionare, ku për periudhën 2004-2019 rezultojnë të regjistruara në total 220 kontrata koncesioni/PPP. Ndërkohë, numri i kontratave të koncesionit të nënshkruara pas vitit 2013 ka ardhur duke u reduktuar.

Konkretisht për periudhën 2004-2013 rezultojnë të nënshkruara 176 kontrata koncesionare dhe PPP, ndërsa për periudhën 2014-2019 rezultojnë vetëm 44 koncesione dhe PPP.

Gjithashtu vihet re një rënie edhe e numrit të kontratave të nisura në formën e një propozimi të pakërkuara, pas 2013, në raport me totalin e kontratave.

Konkretisht, për periudhën 2004-2013, numri i propozimeve të pakërkuara rezulton 171 nga 176 kontrata gjithsej, duke zënë kështu 97% të totalit të kontratave të koncesionit/PPP të nënshkruara për këtë periudhë.

Ndërsa për periudhën 2014-2019, numri i propozimeve të pakërkuara rezulton 15 nga 44 kontrata gjithësej të nënshkruara për këtë periudhë, duke zënë kështu 34% të totalit të kontratave të koncesionit/PPP të nënshkruara për këtë periudhë.