Postuar më: 10/06/2014

Ministria e Financave dërgon në Prokurori dosjen e Drejtorisë së Auditit për projektet e BE-së

Drejtoria e Auditit të Brendshëm, në Ministri të Financave ka përfunduar auditimin në Autoritetin e Auditimit të Programeve të Asistencës, Akredituar nga Bashkimi Europian (Drejtoria e Auditit për projektet e BE-së).

Shumica e shkeljeve të konstatuara në auditim kanë të bëjnë me shkelje dhe parregullsi financiare, të paraqitur nga Titullari i Agjencisë si dhe financierja e kontraktuar. Tre punonjës, në përgjigjet e tyre kanë kundërshtuar të kenë dije, të kenë marrë pjesë apo të kenë firmosur në ndonjë nga procedurat apo transaksionet financiare për të cilat kanë qenë ngarkuar.

Vatësit e kanë akuzuar me shkrim se nuk kanë dijeni, as kanë marë pjesë dhe as kanë firmosur asnjë nga tenderta e kryera në 3 vite.

Agjencia ka shkelur rregullat ligjore në fuqi në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrollit, prokurimit publik dhe kontabilitetit. Nuk ka mbajtur aktivitetet e magazinës, si rrjedhim asnjë mall i blerë nuk është gjendje, dhe as që mund të provohet dalja ose destinacioni i tyre. Agjencia ka vepruar në kushtet e mungesës së plotë të një sistemi të kontrollit të brendshëm të menaxhimit financiar.

Grupi i auditit ngarkon me përgjegjësi drejtuesin e agjencisë, Z.Pajtim Shehu për të gjitha shkeljet e evidentuara në tërësinë e këtij raporti, të urdhëruara, kontrolluara, miratuara, dhe firmosura prej tij në ushtrim njëherazi të të gjitha funksioneve të papajtueshme në fushën e menaxhimit financiar, si dhe për të gjitha rastet dhe shumat e konstatuara me dëm ekonomik për buxhetin e shtetit për faj të tij.

Nisur nga konstatimet, Ministria e Financave e ka dërguar dosjen për hetim të mëtejshëm në Prokurori, duke kallëzuar penalisht ish-drejtuesin e këtij institucioni të rëndësishëm.

Në përfundim, Grupi i auditimit ka dhënë 21 rekomandime për ndreqjen e parregullsive, zhdëmtimin e vlerave të përfituara/paguara padrejtësisht, si dhe për kallëzim penal të rasteve që përmbajnë elementë të veprave penale.

Të rejat e fundit