Postuar më: 09/03/2015

Ministri Cani prezanton zëvendësministren e Financave znj. Irena Beqiraj, në detyrën e Drejtores së Përkohshme të Përgjithshme të Doganave

Ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Ministri i Financave z. Shkëlqim Cani ka prezantuar përpara stafit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Znj. Irena Beqiraj, e cila është komanduar në këtë post pas dorëheqjes së Znj. Elisa Spiropali. Në një takim me stafin që punon në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Ministri i Financave ka shprehur vlerësimin për punën e bërë nga ish-Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Znj. Spiropali, ndërkohë që njëkohësisht ka shprehur gjithë mbështetjen për Znj. Beqiraj, e cila që nga dita e sotme ka përgjegjësinë për drejtimin e Doganës Shqiptare. Njëkohësisht Znj. Beqiraj do të mbajë edhe postin e zëvendësministres së Financave, duke i kryer njëkohësisht të dyja funksionet.

Në këtë prezantim të parë z. Cani e vuri theksin tek rritja e bashkëpunimit me “Crown Agents” në vazhdim të përmirësimit të luftës ndaj shmangieve doganore, korrupsionit dhe kontrabandës. Gjithashtu gjatë fjalës së tij Ministri i Financave preku disa nga problematikat kryesore që kanë të bëjnë me punën e përditshme të stafit doganor, njëkohësisht duke i dhënë besim të plotë Drejtores së Komanduar për vazhdimin dhe thellimin e reformave në administratë. Z. Cani u shpreh se Dogana Shqiptare ka akoma hapësirë për përmirësimin e metodave të punës që kanë të bëjnë me mbledhjen e të ardhurave, por gjithashtu edhe përmirësimin e procedurave doganore që përdoren aktualisht.

Ndërkohë që në fjalën e saj të parë zëvendësministrja e Financave, znj Irena Beqiraj, kërkoi thellimin e bashkëpunimit me të gjithë stafin e Doganës Shqiptare, në vijim të përmirësimit të punës së përditshme organizative në këtë institucion. Gjithashtu Znj. Beqiraj në fjalën e saj të parë përpara stafit të doganës adresoi disa nga problematikat kryesore të punës, që kanë të bëjnë me vlerësimin doganor, me luftën ndaj korrupsionit dhe evazionit në doganë dhe me procedurat doganore. Gjithashtu një pikë e rëndësishme në fjalën e saj ishte edhe bashkëpunimi me “Crown Agents”, duke kërkuar nga stafi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave një bashkëpunim më të ngushtë me asistentët anglezë, duke e kthyer punën e përditshme në një bashkëqeverisje.

Znj. Irena Beqiraj në postin e zëvendësministres së Financave ka nën varësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Të rejat e fundit