Postuar më: 01/07/2014

Mblidhet Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar

Në datën 30 qershor 2014, u zhvillua mbledhja e rregullt tremujore1 e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Në këtë mbledhje morën pjesë Ministri i Financave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetarja e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave të shoqëruar nga drejtues të tjerë të këtyre institucioneve.

Sipas programit, në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë paraqitën një vlerësim mbi ecurinë financiare dhe rreziqet për veprimtarinë e sektorit bankar. Situata financiare e sektorit bankar është e mirë, mbështetur në ecurinë e kënaqshme të treguesve përkatës të likuiditetit dhe të kapitalizimit të veprimtarisë. Trajtimi i kredive me probleme mbetet sfida kryesore për sektorin bankar.

Veprimet ligjore dhe operacionale në drejtim të ristrukturimit dhe fshirjes së kredive me probleme nga bilancet e bankave, trajtimi më i përshtatshëm tatimor i tyre, si edhe përmirësimet në procesin e ekzekutimit të kolateralit, mbështesin më mirë veprimet e industrisë bankare për uljen e nivelit të kredive me probleme në të ardhmen afatshkurtër. Të pranishmit vlerësuan sidoqoftë se ky proces do të ishte i qëndrueshëm në kushtet e rritjes më të shpejtë të ekonomisë së vendit.

Në vijim, të pranishmit diskutuan mbi ndjekjen e realizimit të rekomandimeve të mbetura të FSAP. Ata u njohën me një plan veprimi të përgatitur nga Sekretariati i cili përqendrohej në rekomandimet e përbashkëta për autoriteteve pjesëmarrëse në mbledhjen e GKSF.

Në këtë kuadër, përfaqësuesit e secilit institucion u angazhuan për formimin sa më shpejt të grupeve të përbashkëta të punës që do të plotësojnë rekomandimet përkatëse të FSAP sipas afateve të përcaktuara. GKSF do të monitorojë në vazhdimësi ecurinë e realizimit të këtyre rekomandimeve.

Më pas, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave diskutuan mbi ecurinë e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura publike ndaj sektorit privat. Ata analizuan theksuan ritmin e këtij procesi dhe theksuan pritshmërinë për përshpejtimin e tij në pjesën e dytë të vitit. Të pranishmit, vlerësuan edhe njëherë rëndësinë e këtij procesi, si edhe atë të nxitjes së investimeve publike në përgjithësi, për të rigjallëruar sektorin real të ekonomisë dhe ndërmjetësimin financiar. Në përfundim të diskutimeve sipas programit, mbledhja u mbyll.

Të rejat e fundit