Postuar më: 22/10/2020

Mbi Raportin Periodik të Bankës Botërore – Rikthimi drejt konsolidimit fiskal në periudhën afatmesme

 

Në raportin më të fundit periodik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore paraqet një analizë të ecurisë dhe reagimit të vendeve dhe ekonomive respektive.

Banka Botërore vlerëson reagimin e shpejtë të Qeverisë përmes instrumenteve të likuiditetit për biznesit në të dy skemat e Garancisë Sovrane dhe sugjeron politika të cilat ekuilibrojnë mbështetjen ndaj biznesit dhe qëndrueshmërinë e financave publike, një qasje e ngjashme me masat e propozuara nga Qeveria Shqiptare.

Raporti thekson se, për t’iu kundërpërgjigjur krizës, autoritetet shqiptare vendosën subvencionimin e pagave për bizneset më të prekura nga situata, rritën shpenzimet për përkrahje sociale, miratuan një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredive si dhe ofruan garantim të kredive për të lehtësuar aksesin në kapitalin qarkullues.

Masat për qytetarët dhe bizneset kanë lehtësuar ndikimin në shtresat më vulnerabël, duke ndikuar drejtpërdrejtë në reduktimin e ndikimin në nivelet e varfërisë në Shqipëri dhe rajon. Angazhimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale duke filluar nga viti 2021 dhe rritja e konsiderueshme e pagës së stafit mjekësor dhe arsimtarëve në vitin e ardhshëm pritet të japin një ndikim po ashtu pozitiv në të ardhurat familjare.

Parashikimet e Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare përfarohen në rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen e vendit në periudhën afatmesme. Në vitin 2021, Banka Botërore parashikon një rritje në nivelet prej 5%, ndërkohë që Qeveria Shqiptare parashikon një rritje lehtësisht më të lartë, prej 5.5%.

Banka Botërore parashikon një rënie të ndjeshme përgjatë vitit 2020, për shkak të peshës së turizmit në ekonominë shqiptare, dhe një rimëkëmbje të lartë përgjatë vitit 2021. Banka Botërore njeh gjithashtu ndikimin e dy goditjeve të njëpasnjëshme për Shqipërinë, duke u ndalur edhe në tërmetin e Nëntorit të vitit 2020.

Vlerësimet makroekonomike reflektojnë një rikthim drejt konsolidimit fiskal pas vitit 2021 me reduktimin e borxhit dhe të deficitit buxhetor dhe me një balancë primare pozitive në periudhën 2022-2023. Pas vitit 2022, ky indikator nuk do të mund të jetë më pak se 0, sipas ndryshimeve në ligjin organik të buxhetit të miratuara gjatë pandemisë.

Qeveria Shqiptare ka marrë masa që zgjerimi i deficitit, të adresojë nevojat për investime në kuadër të procesit të rindërtimit dhe të shërbejë si një politikë e cila mobilizon rritje dhe punësim.

Në raportin krahasimor të Bankës Botërore vihet re analiza mbi kontributin kryesor në kuadër të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku për Shqipërinë vihet ndikimi i gjerë i rënies së konsumit, që i atribuohet efektit të pandemisë dhe pasigurisë që vjen si rrjedhojë e paqartësisë së ecurisë së sëmundjes dhe prodhimit të një vaksine.

Në dallim nga vendet e rajonit, Shqipëria reflekton në analizë një efekt pozitiv të investimeve të parashikuara, ku pavarësisht parashikimit të ulët, Shqipëria është i vetmi vend me ndikim pozitiv të investimeve në rritjen ekonomike në rajon. Parashikimet në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm siguron ndikimin pozitiv të investimeve me një nivel prej 7.3%, niveli më i lartë në 10 vitet e fundit.

Ecuria pozitive e tregut të punës përgjatë viteve të fundit, me reduktimin e papunësisë në nivelin më të ulët historik nga 17.9% përpara 5 viteve, në 11.6% përpara pandemisë, ka krijuar një hapësirë të mirë për amortizimin e ndikimeve të pandemisë.

Banka Botërore shprehet se mbështetja financiare për tregun e punës ka sjellë një ndikim të ndjeshëm në rajon, ashtu sikundër edhe në Shqipëri.

Për më tepër Banka Botërore vlerëson Shqipërinë si vendi me nivelin më të lartë të punësimit në rajon.

Parashikimet e Qeverisë Shqiptare, për ndikimin në tregun e punës janë për një rritje të papunësisë me rreth 2% gjatë vitit 2020, duke ju rikthyer një niveli prej 12.2% gjatë vitit të ardhshëm.

Banka Botërore vlerëson shpërndarjen e mbështetjes në të gjithë sektorët, por edhe vëmendjen e shtuar për sektorët e turizmit dhe transportit.

Qeveria Shqiptare ka ofruar Programet e reja të Nxitjes së Punësimit dhe nuk ka bërë dallime për sektorët në kuadër të politikave të punësimit. Një program i veçantë i është kushtuar rikthimit të të punësuarve në punë, pas periudhës së mbylljes së aktivitetit ekonomik, në periudhën e parë të pandemisë.

Këto programe  janë në zbatim prej muajit Shtator 2020 dhe do të vijojnë të jenë një mundësi e mirë për sipërmarrjet dhe punësimin edhe përgjatë rimëkëmbjes. Niveli i lartë i investimeve publike në vitin e ardhshëm do të jetë një ndër burimet kryesore të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Në mbështetje të biznesit të vogël, Qeveria ka miratuar gjithashtu dy ndryshime thelbësore të lidhura me politikat e taksimit, politika të cilat kanë një ndikim të gjerë në mbi 100 mijë biznese në Shqipëri, me një efekt prej 19.1 Miliardë lekë në buxhet.

Përtej shtyrjes së detyrimeve tatimore mbi fitimin për vitin 2020, Qeveria Shqiptare ka miratuar ndryshimet për biznesin e vogël, ku prej vitit 2021 detyrimet e për tatimin mbi fitimin për biznesin me xhiro deri ne 14 milionë lekë dhe detyrimet për TVSH për biznesin deri në 10 milionë lekë do të jenë 0.

Kjo politikë fiskale do të shoqërohet me disa nisma të tjera të lidhura me digjitalizimin dhe reduktimin e ndjeshëm të procedurave për biznesin e vogël, duke lehtësuar më tëj të bërit biznes në Shqipëri:

  • Reduktim i kontrolleve fizike administrative nga administrata fiskale për biznesin e vogël;
  • Zbatimi i procesit të Fiskalizimit, i cili do të mundësojë transmetimin në kohë reale të të dhënave pranë administratës tatimore;
  • Digjitalizim i proceseve të lidhura me inspektimet.

Qeveria Shqiptare mbetet e angazhuar për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë me stimulimin e sipërmarrjes dhe rikthimit në nivelet e mëparshme të punësimit.

Përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes pro-aktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti, si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19, Qeveria do të arrijë objektivin e vendosur për rritjen ekonomike  dhe kthimit në normalitet të vendit.

­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­­