Postuar më: 18/02/2014

Marrëveshje 25 Milionë USD për ndërtimin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë

U nënshkrua sot në ambientet e Ministrisë së Financave marrëveshja hua prej 25 milionë dollarë për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, 43.4 km e gjatë.

Marrëveshja u firmos nga ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani dhe Zt. Mohammed bin Sulaiman Al Arifi, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Projekteve në Fondin Saudit për Zhvillim (SFD). Të pranishëm ishin zv/kryeministri, z.Niko Peleshi, ministri i Transporteve dhe i Infrastrukturës, z.Edmond Haxhinasto dhe përfaqësues nga Fondit Saudit.

Për ndërtimin e këtij projekti të rëndësishëm, me vlerë mbi 150 milionë dollarë, ka dhënë financim përmes kredisë edhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB), rreth 125 milionë dollarë.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë pritet të nisë shumë shpejt. Ky investim është një frymëmarrje për një rajon, por dhe për gjithë Shqipërinë, sepse lidh fushën e rajonit të Korçës, por edhe portet në shtetin fqinj, me kryeqytetin dhe tregun shqiptar. Kështu ne sot jemi të kënaqur, të lumtur, dhe krenar gjithashtu, për një investim që fillon tani dhe shpresojmë të mbarojë brenda afateve të parashikuara në kontratën që do të nënshkruhet së shpejti me fituesin”, deklaroi zv/kryeministri Peleshi, pas firmosjes së huasë.

 

Projekti i rrugës Qukës – Qafë Plloçë, pjesë e Korridorit Tiranë – Korçë (Korridori VIII) konsiston në ndërtimin e një segmenti rrugor 43.4 km të gjatë që do të kalojë përmes Qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës, dhe si vazhdim i segmentit Tiranë – Elbasan do të sigurojë një lidhje të shpejtë dhe komode mes portit të Durrësit dhe vendeve të tjera të Ballkanit si Maqedoni, Bullgaria, Turqia, etj, duke e bërë Shqipërinë vendin më të përshtatshëm transit nga Ballkani në Europë, e anasjelltas.

Gjithashtu ky segment rrugor do të shërbejë si bypass për qytetin e Pogradecit, duke shmangur ndotjen e tij për shkak të devijimit të mjeteve të rënda. Ky segment rrugor do të ndihmojë edhe në zhvillimin lokal, duke qenë se kalon në zonën e Mokrës dhe krijon akses me tregun e Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Elbasanit, dhe sjell investime të reja në bujqësi e për pasojë ulje të papunësisë.

Nga 43.4 km, 2.9 km e parë kanë filluar të ndërtohen me fonde të Qeverisë Shqiptare, ndërsa 40.5 të tjerat do të jenë bashkëfinancim i IDB dhe SFD. Ky segment rrugor do të ndërtohet në terren të vështirë me një numër të konsiderueshëm muresh mbajtës e pritës, më shumë se 20 ura dhe viadukte si dhe një tunel 375 m të gjatë. Gjerësia e rrugës do të jetë 12 m (2 korsi me gjerësi 3.75 m secila, 2 bankina të asfaltuara me gjerësi 1.5 m secila dhe 2 bankina të paasfaltuara me gjerësi 1 m secila).

•           Financimi prej 25 milion USD (ekuivalent i 93,750,000 Saudi Riyals) i SFD do të shërbejë për

ndërtimin e 9.6 km.

•           Afati i maturimit të financimit është 25 vjet, përfshirë 5 vjet pa pagesë principali.

•           Interesi është 2%.

Të rejat e fundit