Postuar më: 17/09/2020

Marrëveshja me Fondin Saudit, adresojmë nevojat për projekte infrastrukturore pa kosto shtesë në buxhet

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj prezantoi në seancën e radhës në Kuvend projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së huas  ndërmjet Republikës  së  Shqipërisë  dhe  Fondit  Saudit  për  Zhvillim  për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së Lumit të Vlorës” ratifikuar me ligjin nr. 100/2017””.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Denaj nënvizoi se përmes dakordësisë së arritur me këtë marrëveshje do të adresohen nevojat për sigurimin e financimit për projekte të tjera, e theksoj “pa kosto shtesë në buxhetin e shtetit”.

“Lidhja e bregdetit me këto zona malore ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm sepse realizon një premtim të mbajtur të Qeverisë Rama, por njëkohësisht është dhe një ëndërr e të gjithë banorëve të këtyre zonave të cilët për më shumë se 30 vite presin këtë interkoneksion më të shpejtë nga zonat e tjera malore me zonat urbane apo me bregdetin e jugut”, tha Ministrja Denaj.

Para deputetëve ajo bëri edhe një prezantim të realizimit të të ardhurave për 8-mujorit e vitit 2020 të cilat u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% në krahasim me rishikimin që i është bërë në muajin korrik aktit normativ në raport me të ardhurat.

“Kujtojmë se ky rishikim ishte i domosdoshëm pas dy goditjeve te njëpasnjëshme , ai i tërmetit dhe pandemisë dhe i parashikimeve të cilat në ulje shikojmë një PBB të  reduktuar në masën e 4.5% negativ”, tha Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj në Kuvend.

 

 

————————–

Fjala e plotë e Ministres Denaj

——————-

I nderuar Kryetar i Seancës,

Te nderuar Deputetë,

Te nderuar Qytetarë,

Qëllimi i këtij projekt-akti është ndjekja e procedurave ligjore të tërheqjes së një marrëveshjeje ose njohur ndryshe në terma juridikë, denoncim i Marrëveshjes së Huasë.

Marrëveshja e Huasë mes Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit “Rehabilitimi i Rrugës së Lumit të Vlorës” , është ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë me Ligjin Nr. 100/2017.

Projekti i Rrugës së Lumit të Vlorës, përbëhej nga 4 segmente (Lote), ku:

Loti i 4-ët i këtij projekti ka pasur për synim lidhjen e dy rrugëve  Levan – Tepelene – Gjirokastër  me Rrugën Vlorë – Sarandë, si dhe lidhjen e rajonit të Tepelenës me bregdetin jugor.

Në vlerësimet teknike së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, lidhja e Tepelenës me Bregdetin e Jugut po realizohet aktualisht përmes Rrugës Gusmar-Kuç dhe Rrugës Bënçë – Lekdush, që financohen në kuadër të Programit të Rrugëve Lidhëse Rajonale dhe Lokale me mbështetjen e Bankës Botërore.

Sjell në vëmendje se, tërheqja nga kjo marrëveshje është e dyanshme. Përmes kësaj dakordësie me palën saudite, do të adresojmë nevojat për sigurimin e financimit për projekte të tjera, e theksoj “pa kosto shtesë në buxhetin e shtetit”.

Gjej rastin të falënderoj Fondin Saudit për Zhvillim, Bankën Botërore dhe të gjithë që kanë kontribuar për financim në këtë projekte infrastrukturore. Ata kanë pasur durim për të gjitha procedurat të cilat në aspektin juridik kanë marrë një kohë të caktuar.

Njëkohësisht konstatoj se të gjitha punimet në këto rrugë janë në kohën e duhur dhe shumë shpejt do të jetë edhe inaugurimi i tyre përfundimtar.

 

Lidhja e bregdetit me këto zona malore ka një rëndësi shumë të madhe, jo vetëm sepse realizon një premtim të mbajtur të Qeverisë Rama, por njëkohësisht është dhe një ëndërr e të gjithë banorëve të këtyre zonave të cilët për më shumë se 30 vite presin këtë interkoneksion më të shpejtë nga zonat e tjera malore me zonat urbane apo me bregdetin e jugut.

Njëkohësisht, jam e bindur që kjo do t’i sjelli një zhvillim shumë të madh edhe turizmit, gërshetimi i turizmit bregdetar me atë malor. Një nevojë shumë e rëndësishme për të theksuar është dhe kthimi i banorëve në këto zona të cilat janë deri diku  të braktisura. Kthimi për të punuar tokën e tyre e për të ngritur agroturizmin, si dhe për të zhvilluar biznesin e vogël.

 

Të nderuar deputetë e qytetarë,

 

Të ardhurat totale të 8-mujorit e vitit 2020 u realizuan në masën 270.7 miliardë lekë ose 99.8% në krahasim me rishikimin që i është bërë në muajin korrik aktit normativ në raport me të ardhurat. Kujtojmë se ky rishikim ishte i domosdoshëm pas dy goditjeve te njëpasnjëshme , ai i tërmetit dhe pandemisë dhe i parashikimeve të cilat në ulje shikojmë një PBB të  reduktuar në masën e 4.5% negativ.

Duhet të ritheksoj se në vitin 2020 ne nuk shkurtuam asnjë zë të shpenzimeve kapitale dhe e bëmë këtë të ndërgjegjshëm, pasi është një mënyrë për të motivuar zhvillimin ekonomik dhe të çuarit përpara reformat e nisura dhe në aspektet e projekteve infrastrukturore.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 4.3% më i lartë ose rreth 13.4 miliardë Lekë më shumë, ku kemi adresuar sigurisht jo vetëm paketën e parë dhe të dytë me shumën rreth 13 miliardë lekë nga këto paketa për 300.000 shqiptarë.

Më duhet të theksoj se të gjitha nevojat e naftëtarëve t’i shikojmë në të gjithë kompleksitetin dhe dua t’ju rikujtojë që një fond prej 28.8 milionë lekësh në këto paketa është adresuar për 721 naftëtarë. Më herët në këtë Kuvend, ne kemi aprovuar një fond prej 1.5 miliardë lekësh, një Paketë Kompensimi Financiar për minatorët dhe naftëtarët e cila është duke u adresuar proporcionalisht me të gjithë aspektin rregullator. Për çdo shqetësim që keni, ata që kanë lidhje me detyrimet buxhetore, ju ftoj të diskutojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

 

Për t’iu kthyer nevojës për raportim dhe në aspekt të shpenzimeve buxhetore, janë miratuar 13 miliardë lekë nga dy fondet e garancisë për 751 përfitues biznesesh. Në aktin normativ kemi akorduar edhe për Fondit Shqiptar të Zhvillimit një shtesë fondi prej 3 miliardë lekë në programe zhvillimi.

Shpërndarja e këtij fondi shkoi  kryesisht në projekte rehabilitim segmentesh rrugore dhe rikualifikim urban në qendrat e disa qyteteve si, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat, Pogradec etj.

Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit janë alokuar edhe fondet për procesin e rindërtimit, duke përfshirë  të gjitha zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në total rreth 11.6 miliard lekë, nga të cilat:

  • Rreth 7.3 miliard lekë janë alokuar për rindërtimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti;
  • Rreth 4.3 miliard lekë janë alokuar për rindërtimin objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti;

 

Më duhet të theksoj se janë 34 miliardë lekë të akorduara në fondin e rindërtimit që menaxhohet nga ministri i shtetit për rindërtimin.

Zhvillimi infrastrukturor është një domosdoshmëri për të lidhur të gjitha zonat jo vetëm urbane por edhe rurale pasi biznesi i vogël dhe i mesëm në këto zona ka një nevojë të shtuar për këtë infrastrukturë, për të zhvilluar biznesin dhe për të realizuar ato fitime të mundshme të cilat dhe me ndryshimet që i kemi bërë në ligjet fiskale në muajin korrik të tatim fitimit 0 dhe rritjes së pragut të TVSH-së, të ketë një mundësi të shtuar për ripunësimin pas Covid-19.