Postuar më: 23/09/2020

 Lehtësi fiskale për të dëmtuarit nga tërmeti, përjashtohen nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë

Ndryshimet në ligjin “”Për sistemin e taksave vendore”: Përjashtohen nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë të gjitha objektet e dëmtuara si pasojë e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe Tatimi i Thjeshtuar mbi Fitimin bëhet 0 (zero) për bizneset e vogla

 

Komisioni për Ekonominë  dhe Financat diskutoi dhe miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

 

Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë përfshinin ndryshimet e lidhura me:

 

Nismën e lançuar nga Qeveria Shqiptare për zerimin e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël: Për tatimpaguesit, subjekt i Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin me qarkullim vjetor nga 5 deri në 8 milionë lekë, norma e Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin bëhet 0 (zero). Nga ky ndryshim përfitojnë rreth 5,000 tatimpagues, ndërsa efekti financiar në buxhet parashikohet të jetë në rreth 450 milionë lekë.

 

Sipas propozimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, komisioni vendosi përjashtimin nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë dhe të bizneseve që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore (tërmeti), që do të rindërtojnë, riparojnë apo meremetojnë objektin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. Ky propozim plotëson ndryshimet ligjore të bëra në dhjetor të vitit të kaluar në ndihmë të qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, të cilët do të riparojnë, meremetojnë apo ndërtojnë shtëpitë e dëmtuara dhe që do të jenë të përjashtuar nga “Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë”.