Postuar më: 05/12/2019

Kuvendi miraton Aktet Normative lidhur me situatën emergjente pas fatkeqësisë natyrore

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi në seancë plenare Aktet Normative të ndërmarra nga qeveria lidhur me përballimin e situatës së krijuar në vend pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit 2019, të cilat pas shqyrtimit u miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë

Ministrja sqaroi se këto Akte janë masat e para me mbështetje buxhetore të ndërmarrë nga qeveria në kuadër të situatës emergjente dhe janë pjesë e një pakete të plotë që do të konsolidohet gjatë ditëve në vijim.

“Këto janë aktet e emergjencës, me mbështetje buxhetore. Çdo javë, deri në fund të vitit, ne do të kemi akte të tjera të cilat do të mbështesin fazat e tjera të kësaj situate”, tha znj. Denaj.

Ministrja informoi deputetët se përmes ndryshimeve ligjore dhe buxhetit të shtetit do të sigurohet:

  • E drejta për pension të posaçëm për qytetaret pensionistë, që kanë humbur të afërmit nga tërmeti;
  • E drejta për trajtim financiar të veçantë për të mbijetuarit e familjeve me humbje fatkeqe në njerëz;
  • E drejta për ndihmë financiare për familjet e të gjitha viktimave në masën 1 000 000 (një milion) lekë.
  • E drejta për mbulimin e shpenzimeve funerale për të gjitha viktimat e këtij tërmeti;
  • E drejta për bursë në masën 15 000 lekë në muaj, për nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, banesat e të cilëve janë shpallur të prishura apo të pabanueshme në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë.

 

Ministrja prezantoi shkurtimisht katër Aktet Normative në kuadër të përballimit të situatës emergjente të krijuar nga fatkeqësia natyrore.

 

  • Aktin Normativ për disa Shtesa në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili ka për qëllim përjashtimin nga detyrimi i pagimit të tatimit mbi vlerën e shtuar për mallrat dhe pajisjet e projektuara posaçërisht ose të përshtatura për qëllime ushtarake dhe që përdoren si armë, municion apo bazë materiale për luftë dhe që janë projektuar, zhvilluar, prodhuar, montuar apo janë modifikuar për përdorim ushtarak, përfshirë ato të cilat importohen në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Qëllim kryesor i aktit normativ është edhe përfshirja në përjashtimet nga pagesa e TVSH-së e mjeteve dhe pajisjeve të cilat përdoren për të rindërtuar zonat e prekura nga fatkeqësitë.

2-Akti Normativ për disa Ndryshime në Ligjin Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i Ndryshuar, përmes të cilit Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka mundësuar rritjen e nivelit të njohjes së shpenzimeve të zbritshme nga 3% në 8% për donacionet në mjete monetare të bëra nga bizneset. Ky akt vlen gjithashtu për donacionet në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë nayrore të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

 

  • Akti për Dhurimin e 17 Apartamenteve në pronësi të Bashkisë Tiranë për Familjet e viktimave të Tërmetit të datës 26.11.2019
  • Aktin Normativ për disa Shtesa në Ligjin Nr. 7703, Datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i Ndryshuar, i cili synon shtimin e një dispozite me efekt të menjëhershëm dhe të përkohshëm që parashikon trajtimin e veçantë financiar të personave që kanë humbur familjarët e tyre si pasojë e tërmetit të ndodhur në datën 26.11.2019. Kjo dispozitë për trajtimin e veçantë financiar krijon mundësinë ligjore për dhënien e një ndihmë me karakter të përhershëm për të gjithë personat që kanë humbur pjesëtarët e familjes së tyre nga fatkeqësitë natyrore. Ky akt normativ u siguron të drejtën për pension të posaçëm qytetarëve pensionistë, që kanë humbur të afërmit nga tërmeti.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja shprehu falënderimet për të gjitha ata që kanë dhuruar e vazhdojnë të dhurojnë në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti dhe garantoi se transparencë të plotë për çdo dhurim dhe për çdo shpenzim që do të bëhet.