Postuar më: 01/10/2019

Komiteti Kombëtar i Pagesave, Denaj: Fiskalizimi synon uljen e informalitetit në ekonomi

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, mori pjesë Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Pagesave, në Bankën e Shqipërisë.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u fokusua në angazhimin e qeverisë përmes reformave dhe masave të ndryshme për të luftuar informalitetin në ekonomi, duke vënë theksin te projektligji i ri për Fiskalizimin, i cili u lançua për konsultim publik në muajin gusht.

Objektivat e këtij projektligji, tha Ministrja Denaj, përfshijnë uljen e nivelit të ekonomisë informale, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave; identifikimin e lehtë të evazionit; auditimin e taksave me më tepër elementë të kost-efiçent; uljen e nivelit të korrupsionit në administratë; ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend. Ky ligj synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale”, u shpreh Ministrja.

Po ashtu, sipas Ministres Denaj, ky projekt synon të reformojmë mënyrën e të bërit biznes dhe të modernizojë administratën tatimore, në raport me marrëdhëniet e saj me biznesin dhe për të qenë më eficente.

Ministrja përmendi edhe reformën e deregulimit të ndërmarrë në vitet e fundit, e cila ka reduktuar burokracitë dhe ka përmirësuar shërbimet e ofruara për publikun, një pjesë e të cilave sot ofrohen në mënyrë elektronike.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Denaj vuri theksin në qasjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me grupet e interesit dhe me biznesin, jo vetëm për projektligjin e Fiskalizimit, por edhe për nisma të tjera ligjore.

“Kjo është e vetmja mënyrë dhe i vetmi proces që mund të na çojë përpara në një format të tillë, ku biznesi, qeveria dhe të gjithë aktorët janë palë dhe realizojmë të njëjtin objektiv së bashku”, përfundoi znj. Denaj.

Fjala e Ministres Denaj:

I nderuar z. Guvernator,

Të nderuar anëtarë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në reforma, të cilat luftojnë në mënyrë permanente ekonominë gri. Në fjalën time para këtij Komiteti do të flas për disa nga masat që janë ndërmarrë, si në aspektin e planeve operacionale, ashtu dhe në aspekte rregullatore e ligjore që janë në proces.

Më lejoni konkretisht të shpreh që planet operacionale të zhvilluara gjatë këtij viti kanë pasur si synim uljen e informalitetit dhe, mbi të gjitha, kanë synuar një koordinim më të mirë jo vetëm të institucioneve në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave, inspektoriatet, por ka qenë një qasje proaktive edhe ndaj ministrive të cilat kryejnë inspektime në fusha të cilësisë e më gjerë. Kjo ka bërë që ne të punojmë në mënyrë të koordinuar gjatë një periudhë 6-mujore, duke filluar nga muaji mars i këtij viti, për të luftuar informalitetin në ekonomi.

Jemi shumë të ndërgjegjshëm që ky informalitet nuk luftohet me plane operacionale, pavarësisht nga vullneti i mirë dhe dëshira, si dhe organizimi permanent në vijim, që ndodh çdo javë në Komitetet tona sektoriale. Mendojmë se një zgjidhje e përhershme dhe afatmesme, sepse është një proces që nuk ndodh brenda një periudhe të caktuar kohe, kërkon disa aktorë dhe disa masa rregullatore. Në këtë kuadër, kemi prezantuar për konsultim publik gjatë muajit gusht një projektligj, një prej objektivave të të cilit është synimi i uljes së informalitetit.

Ligji mbi faturën dhe monitorimin e transaksioneve, që duhet ndryshe në gjuhën tonë të përditshme ligji i Fiskalizimit, sot në fazën finale të konsultimit. Ka kaluar në një konsultim me të gjithë palët e interesit në një periudhë gati një muaj e gjysmë dhe është komunikuar objektivi i tij, i cili synon në:

  • Minimizimin (uljen) e niveli të ekonomisë informale;
  • Përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave;
  • Identifikimin e lehtë të evazionit;
  • Bërjen e auditimit të taksave me më tepër element të kost-efiçent;
  • Uljen e nivelit të korrupsionit në administratë;
  • Ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin;
  • Pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

Për shumë aktorë të cilët kanë qenë pjesëmarrës në këtë konsultim publik besoj që këto objektiva janë të mirëkomunikuara, por më lejoni që të jap edhe për këtë Komitet disa elementë të cilat do i shpjegojë me detaje Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.

Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend. Ky ligj synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

Nga viti 2020, të gjithë transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit (B2C), do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale bazuar në një sistem të ri pajisjesh fiskale, ndërsa nga viti 2021, për të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike (B2G) do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Projekligji është publikuar për konsultim në datën 31/07/2019. Për arsye të nevojës për konsultim, procesi është shtyrë edhe gjatë muajit shtator. Aktet nënligjore janë në proces dhe janë përgatitur ndryshimet ligjore në legjislacionin fiskal, të cilat synojnë jo vetëm rritjen e mëtejshme të mirëadministrimit, por edhe eficencën e strukturave të administratës tatimore, pra një administratë më moderne.

Procesi do të vijojë gjatë muajit tetor me komunikimin me të gjithë palët e interesit, mbi të gjitha me biznesin, për atë që është zgjidhja teknologjike dhe, mbi të gjitha, në elementë shumë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me koston e këtij procesi.

Ky proces, gjatë gjithë muajit tetor, do të shoqërohet njëkohësisht edhe me testimin e platformave elektronike, në mënyrë që të bëjë të mundur që të gjitha problematikat që mund të dalin gjatë një faze testime të jenë të zgjidhura gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, përpara nisjes së implementimit, të parashikuar në janar të vitit 2020.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon të reformojmë mënyrën e të bërit biznes dhe kjo për të sjellë në vëmendje një punë më efektive edhe në raport me administratën tatimore.

Pak më parë, në një prej objektivave, unë përmenda elementin e uljes së korrupsionit, i cili është një objektiv permanent i punës në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, por që nuk mund të synohet vetëm me reforma të brendshme, por synohet edhe me një përditësim të sistemit elektronik dhe të informacionit.

Aktualisht, nëpërmjet këtij formati ne synojmë që transaksionet që vijnë në kohë reale të kenë mundësi të përpunohen në mënyrë më inteligjente dhe i gjithë procesi të shoqërohet me një trajnim të vazhdueshëm, të paktën gjatë një viti e gjysëm, të gjithë inspektorëve të rinj, ata të cilët në kontekst të leximit të të dhënave në kohë reale do të bëjnë të mundur zbulimin e evazionit, pa qenë nevoja për një komunikim permanent fizik në biznese. Kjo do të reformojmë edhe mënyrën e komunikimit me bizneset, apo ajo që ndonjeherë perceptohet si presion i vazhdueshëm mbi ta.

Gjithashtu, duke menduar se komunikimi i drejtpërdrejtë krijon jo vetëm elementë korruptivë, por edhe burokraci, qeveria shqiptare gjatë gjithë këtij procesi 5-vjeçar është angazhuar në një proces deregulimi jo pak të rëndësishëm në të gjithë shërbimet e ofruara për publikun. Ky është sot një fakt që shihet në disa nga njësitë e dhënies së shërbimit publik. Kështu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pothuajse 92 % e transaksioneve të informacionit ndodh online, falë këtij procesi deregulimi, por rezultate pozitive në këtë drejtim  ka edhe në  institucione të tjera.

Njëkohësisht, për ata që kanë marrëdhëniet të drejtpërdrejtë me Doganat, ne kemi anoncuar në tremujorin e dytë të këtij viti Dogana Paperless, i cili është një proces po aq i rëndësishëm në kuadër të Deregulimit, për të eleminuar kontaktet e drejtpërdrejta me inspektorët dhe për të mundësuar një sistem, i cili informacionin e ka në kohë reale, por edhe përpunimi i informacionit mund të ndodhë në kohë reale dhe në mënyrë inteligjente, dhe të dy sistemet të ndërlidhen me njëri-tjetrin, në mënyrë që të kemi informacion dhe në nivel qendror për të luftuar evazionin dhe të kemi efektivitet edhe në realizimin e objektivave tanë.

Së fundmi, më lejoni që t’i uroj këtij Komiteti punë të mbarë.

Në pjesën e tij teknike do të ketë pyetje dhe shpjegime për detajet, pasi gjithë ligji i Fiskalizimit ka nevojë për tu kuptuar ende më shumë, në aspektin ligjor dhe teknik. Për sa kohë në aspektin teknik ne zgjidhjet nuk i kemi dhënë ende, sepse ofruesit e shërbimit teknik janë duke përfunduar fazat e tyre të dhënies së këtij informacioni, kuptohet krijohet hapësirë e një informacioni ende të pa finalizuar. Por, besoj që në qasjen tonë si Ministri për të komunikuar në mënyrë të vazhdueshme, për të marrë opinionet e të gjithë grupeve të interesit dhe për të përmirësuar si aktet ligjore, ashtu edhe proceset në vijim, mendojmë që ky do të jetë një proces, i cili do të vazhdojë, për ligjin e Fiskalizimit dhe për ligje të tjera, dhe është e vetmja mënyrë dhe i vetmi proces që mund të na çojë përpara në një format të tillë, ku biznesi, qeveria dhe të gjithë aktorët janë palë dhe realizojmë të njëjtin objektiv së bashku.