Postuar më: 27/06/2014

Kodi doganor, Cani: Pres më shumë bashkëpunim me bizneset për hartimin e akteve

Fushata e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me mbështetjen e Croën Agents në sektorin e tregtimit të artikujve të akcizës si dhe Kodi i ri Doganor, ishin dy nga temat e diskutimit mes ministrit të Financave, z.Shkëlqim Cani dhe operatorëve privatë.

Në takim merrte pjesë drejtorja e përgjithshme e Doganave, znj.Elisa Spiropali si dhe departamenti i Akcizës, i cili prej tetorit të vitit 2012, ka në komptencë mbledhjen e kësaj takse edhe brenda territorit.

 

Për ministrin Cani, faza e dytë e kodit të ri, pra hartimi i akteve nënligjore është mjaft i rëndësishëm, pasi qartëson akoma më tepër rrugën e zbatimit të procedurave të reja dhe mundëson zbatimin në praktikë të vetë kodit.

Në kuadër të përgatitjes sa më cilësore të kodit të ri, Ministria e Financave nisi në muajin mars fushatën informuese dhe një konsultë të gjerë, duke zhvilluar takime me grupet përkatëse të interesit. Aktualisht, kodi po diskutohet në komisionet e posaçme parlamentare. Hyrja në fuqi pritet të bëhet më datë 1 janar 2015.

 

“Deri atëherë, na presin procese akoma e më të rëndësishme, si hartimi i një serë aktesh nënligjore, që kërkojnë bashkëpunim intensiv dhe të vazhdueshëm të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave me biznesin, kërkon të jemi më aktiv dhe më ndihmues midis nesh. Nëse jemi më bashkëpunes në këtë fazë të dytë, atëherë mendoj dhe kam bindjen se në fazën e tretë, dhe që është edhe më e vështira, do të kemi një zbatim shumë më korrekt dhe më konform ligjit të kodit në praktikën e punës, do të kemi më shumë mirëkuptim reciprok të rregullave dhe respektim të detyrimeve të ndërsjellta”, deklaroi ministri në takim.

 

“Kërkoj nga ju të jeni më prezent. Nuk mjafton më vetëm me paraqitjen e problemit, por pres nga ju edhe sugjerime konkrete dhe të formuluara për zgjidhje. Për ne është më e vlefshme dhe më e dobishme sikur një udhëzim, akt, etj, të përgatitet i gjithi nga ju. Pra biznesi të marrë në dorë hartimin e projktakteve ligjore e nënligjore në dobi apo shërbim të tij. Kjo na ndihmon të dyja palëve”.

 

Cani u ndal te fushata e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me “Crown Agents” për mallrat e akcizës.

“Ky është vetëm fillimi i kësaj fushate, pasi autoritetet tona do të thellohen akoma e më tej, do të prekin çdo sektor, cdo shkallë apo etapë të procesit, deri në mbyllje të plotë të ciklit.

Të jemi të qartë! Jemi partnerë, bashkëpunes me njëri-tjetrin, por nuk duhet të harrojmë edhe detyrimet që kemi. Zbatimi i ligjit dhe pagesa e taksave janë primare”, shtoi më tej ministri.

 

Në lidhje me disa shqetësime të sipërmarrësve, ministri u kërkoi të paraqiten me shkrim, bashkë me variantet për zgjidhje, si mënyra më efikase dhe më transparente drejt sheshimit të barrierave në fushat përkatëse.

Të rejat e fundit