Postuar më: 01/04/2020

Këshilli i Ministrave miraton indeksimin e pensioneve me 2.3%, efekti financiar 2.1 miliardë lekë

Këshilli i Ministrave miraton indeksimin e pensioneve të pensionistëve dhe kategorive të tjera që trajtohen financiarisht me pensione ose të ardhura që jepen nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Kjo masë, megjithëse merret në një situatë të veçantë, është një përpjekje e qeverisë për të mbuluar sa më mirë nevojat ekonomike të kësaj shtrese të popullatës.

Efektet financiare nga zbatimi i këtij vendimi parashikohen në masën 2.1 miliard lekë dhe, bazuar në përllogaritjet e shtesës së indeksit të çmimeve për vitin 2019 ndaj 2018-s, projekti parashikon rikuperimin total të efekteve negative të rritjes së çmimeve të mallrave e shërbimeve të shportës së pensionistëve.

Evidentojmë faktin se, ndërsa ndryshimi i indeksit mesatar të çmimeve për gjithë popullatën është 1,4 %, indeksimi i pensioneve është bazuar në ndryshimin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të shportës të pensionistëve, ku pesha specifike më e madhe i adresohet zërit ushqime dhe pije jo alkoolike.

Nga zbatimi i këtij vendimi do të përfitojnë mbi 669 500 pensionistë, mbi 12 mijë nëna të cilat janë të vetëpunësuara në sektorin bujqësor e që përfitojnë barrëlindjen dhe 14 mijë përfitues të ardhshëm, duke e çuar në total numrin e përfituesve në 682 800.

Pagesat me shtesat e rritura do të nisin të përfitohen menjëherë që në muajin prill të këtij viti.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave plotëson detyrimet ligjore për indeksimin e pensioneve për shkak të ndryshimit të indeksit të çmimeve dhe është i mbështetur në filozofinë e zbatimit të politikave të rritjes së të ardhurave të shtresave të caktuara të popullsisë, sipas politikave buxhetore të miratuara.

Më poshtë paraqiten detajimet për efektet financiare në buxhetin e shtetit:

  • Efekti financiar për 543.500 individë që marrin pension qyteti është 1.73 miliardë lekë;
  • Shuma që shtohet nga buxheti për 121.200 pensionistë në fshat është 214.3 milion lekë;
  • Shtohen në buxhet 3.2 milion lekë për 2.600 pensione sociale;
  • Shtohen 10.3 milionë lekë për rritjen e shpërblimeve të nënave me leje barrëlindje në fshat;
  • Shtohen 117.7 milionë lekë për rritjen e pensioneve të parakohshme dhe suplementare të ushtarakëve, policisë, ish- punonjësve të minierave, industrisë së naftës dhe metalurgjisë, një pjesë e të cilëve janë në proces të llogaritjeve dhe të marrjes së përfitimeve për shkak të zbatimit të ligjit nr. 29/2019, për përfitimet e punonjësve të profesioneve të vështira .

Rritjen 2.3% e përfitojnë të gjithë personat që marrin pension invaliditeti, familjar, të parakohshëm dhe ata që kanë punuar në punë të vështira e industri të rënda.