Postuar më: 30/07/2020

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin në mbështetje të personave të dalë të papunë si pasojë e Covid – 19

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID 19”.

 

Ky vendim synon të mbështesë punëkërkuesit e papunë, të cilët kanë dalë të tillë si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të bizneseve, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore, për parandalimin e përhapjes së pandemisë në kushtet e fatkeqësisë natyrore.

 

Programi është hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia. Qëllimi i programit të punësimit është ri-integrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve, që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID 19, duke shmangur mbështetjet e tyre përmes skemave pasive të mbështetjes, siç është pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike.

 

Gjithashtu, nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, ky program nxit krijimin e vendeve të punës dhe mbështet kompanitë në procesin e rimëkëmbjes.

 

Programi i punësimit parashikon punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës.

 

Vendimi parashikon që punëdhënësi do të ofrojë subvencionim në varësi të periudhës së punësimit të stafit për:

 

Programin e punësimit 4 – mujor:

  • Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, dhe të katërt të kontratës;
  • Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

 

Programin e punësimit 8 – mujor:

 

  • Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;
  • Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

 

Programin e punësimit 12 – mujor:

 

Subvencionim i kostove te financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100 (njëqind) %, të llogarituara në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

 

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive do të jetë institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar dhe do të ndjekë procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit.

 

Punëdhënësit mund të kërkojnë për përfshirjen në program në rrugë elektronike, duke ngarkuar në faqen e internetit:

 

  1. formularin e kërkesës së plotësuar, sipas modelit standard të miratuar dhe publikuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë;
  2. autorizimin e punëdhënësit, me të cilin autorizohet institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për të kryer të gjitha verifikimet dhe kërkimet e nevojshme të dokumenteve dhe të të dhënave të kërkesës;
  3. vetëdeklarim për mospasjen në ngarkim të punëdhënësit, të shkeljeve apo sanksioneve që lidhen me legjislacionin e punës, përgjatë dy viteve të fundit.

 

Procedurat e sakta për pjesëmarrjen në këtë program, do të bëhen publike nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.

 

Programi i Qeverisë 2017 – 2021 e ka vënë fokusin te punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, Strategjinë Europiane të Punësimit 2020, si dhe kërkesave për integrimin europian të Shqipërisë në BE.