Postuar më: 09/10/2019

Interpelanca për informalitetin, fjala e Ministres Anila Denaj në Kuvend

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ishte sot në një interpelancë në Parlament lidhur me çështjen e luftës ndaj informalitetit.

Ministrja sqaroi para deputetëve të gjitha fazat në të cilat ka kaluar zbatimi i Planit Operacional kundër informalitetit, mbështetur në sektorët e identifikuar me risk sipas modulit të riskut, ndërsa theksoi se ky nuk është një aksion, siç mund të perceptohet, pasi zbatimi i tij do të vijojë.

Znj. Denaj bëri një përmbledhje të rezultateve të kontrolleve që janë ushtruar nga institucionet përgjegjëse, si Administrata Tatimore, Administrata Doganore dhe Inspektoriati i Punës.

Fjala e Ministres Denaj:

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka koordinuar një plan masash, i cili ka filluar me një analizë që në muajin mars në administratën e përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave, Inspektoriatin e Punës dhe institucione të tjera shtetërore që kanë lidhje me inspektimet në biznese.

Kjo punë dy mujore në muajt mars dhe prill u pasua me aksione të cilat nuk ishin në dukje për të gjithë publikun, pasi ishin aksione të ndodhura në administratë të cilat do i sqaroj në vijim, dhe më pas me vepimtari në terren, e cila vazhdon edhe sot që në flasim.

Hapi i parë ka qenë procesi i identifikimit të sektorëve me risk. Në një administratë nuk mund të punohet pa pasur një model të caktuar risku e fatmirësisht ne kemi pasur mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në veçanti për administratën tatimore FMN ka ndihmuar edhe në përgatitjen e këtij moduli risku, i cili është në rregulloren tonë bazë referencë për çdo veprimtari kontrolli dhe monitorimi.

Çfarë ka nxjerrë moduli i riskut? 6176 subjekte të cilët kishin thyer rregullat e Administratës Tatimore dhe plotësonin kushtet për Procedure të Hetimit Tatimor. Kjo është një shifër shqetësuese dhe duhet të na shqetësojë të gjithëve për nivelin e lartë të subjekteve, të cilët thyejnë në mënyrë të vazhdueshme regullat.

Nga këta, ata me impakt në të ardhurat buxhetore, të identifikuar si më të mëdhenjtë ishin 270 subjekte në sektorin e produkteve të akcizës dhe 453 subjekte në sektorin e ndërtimit.

Nga administrata doganore u identifikuan rreth 110 subjekte me risk në fushën e akcizës, ndërsa nga Inspektoriati i Punës ishin identifikuar 4520 subjekte me risk.

Po ndalem pak te shifrat sepse kjo është analiza e muajve mars-prill, mbi bazën e së cilës vendosëm të veprojmë me masa, qoftë nga zyra, qoftë dhe nga terreni, e më sipër përmenda edhe sektorët me risk.

Sektori i Turizmit nuk përfshin vetëm bar restorantet, por edhe njësitë akomoduese, ku ishin identifikuar 1200 tatimpagues të konsideruar me risk, e 100 nga këta me risk shumë të lartë.

Këto janë shifra që ju mund t’i merrni edhe në mënyrë protokollare, me data të dala nga Administrata Tatimore dhe Doganore sipas proceserbaleve të këtyre datave dhe muajve që po përmend, dhe mbi të gjitha në bazë të një moduli risku, i cili sot është në administrim të administratës Tatimore dhe jo të ministrisë apo ministrit të Financave.

Kjo sa i përket pjesës përgatitore, në bazë të informacioneve të dala nga moduli i riskut, pasuar nga metodat e kontrolleve.

Kontrollet janë bazuar në listat që gjenerohen nga moduli i riskut dhe fillimisht në muajin maj kemi kryer një fushatë ndërgjegjësimi, së pari me letra informuese për të arritur në një numër të madh tatimpaguesisht, dhe së dyti me telefonata, kryesisht në fushën e turizmit, ku shumë telefonata janë bërë për subjekte që kanë qenë jo vetëm më risk të lartë, por edhe me risk të mesëm.

Më pas, është vijuar me monitorimin në terren në muajin Qershor, ku janë suportuar dhe bizneset për të rritur ndërgjegjësimin, duke vendosur punonjës të Administratës tatimore për të ndërgjegjësuar realisht dhe me prezencë fizike këtë proces.

Po kjo nuk mund të vazhdojë pafund me ndërgjegjësim dhe sigurisht pasohet me kontrolle, të cilat janë të koordinuara dhe të procesuara, jo vetëm nga Administrata Tatimore, që në pamje të parë ka numrin më të madh të tatimpaguesve, por si rezultat i një bashkëveprimi ndërinstitucional të disa institucioneve, jo vetëm ato që janë në varësi të Ministrisë së Financave. Falënderoj kolegët ministra për gatishmërinë që institucione të tjera të varësisë të angazhohen në zbatimin e një Plani Operacional dhe të koordinuar në bazë mujore, për të realizuar një objektiv madhor të administratës që është lufta ndaj informalitetit dhe zvogëlimi sa më i madh i këtij problemi.

Kush është eficenca e kontrolleve?

Në sektorin e Turizmit janë kryer 6,206 kontrolle dhe janë konstatuar 2,412 shkelje. Kjo shtë shqetësuese sepse 39% efektivitet i kontrollit është i lartë.

Në kontekstin tim si drejtuese e këtij Plani Operacional mund të jem e kënaqur që efektiviteti ka qenë i lartë, por në fakt jo. Kjo tregon që ka një situatë jo të kënaqshme në raport me formalizimin dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.

– 587 tatimpagues janë penalizuar për shkeljen të moslëshimit të kuponit tatimor (rasti i parë);

– 244 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar;

–  104 timpagues janë konstatuar se nuk kanë pasur të instaluar pajisjet fiskale, nga ky numër prej 6206 kontrollesh;

– 76 të tjerë nuk i mbanin pajisjet fiskale në gjendje pune dhe

– 308 tatimpagues janë konstatuar se dispononin mallra pa dokumentacion tatimor. ​

Janë bllokuar 363 subjekte, nga të cilët:

  • 50 tatimpaguesve u janë bllokuar ambientet për 30 ditë kalendarike për moslëshim kuponi tatimor (hera e dytë) dhe
  • 313 subjekte janë konstatuar të paregjistruara në organet tatimore, për të cilët është marrë masa e bllokimit deri në momentin e regjistrimit të tyre pranë QKB dhe më lejoni të them që ky është një proces që ndodh brenda 24 orëve dhe shpesh, në të gjitha daljet e mia edhe në terren, është kuptuar si një pavëmendje e bizneseve, por ky ka qenë një proces shumë i mirë në bashkëpunim edhe me ta, pasi reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe ka mundësuar që të gjithë subjektet që nuk kanë qenë të regjistruar të regjistrohen dhe të operojnë edhe brenda sezonit turistik, pa pasur asnjë problem.
  • Është kryer plumbçosja në 1117 pika karburanti në bashkëpunim të dy institucioneve, Administratës Tatimore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Gjatë këtij procesi që ka ndodhur në dy muajt e fundit janë gjetur 3 pika karburanti me regjim manual. Nuk po flasim për sasitë, se sa qarkullon secila nga këto, por fakti që ekzistojnë ende sot pika karburanti në regjim manual dhe nuk janë në regjim fiskal është sërish shqetësues.
  • Janë kryer 1,077 kontrolle në subjekte të fushës së hidrokarbureve mes administratës tatimore dhe strukturave të metrologjisë, nga të cilat 15 janë konstatuar me shkelje.
  • Janë kryer 1,353 kontrolle në struktura akomoduese të listuara në booking, ndër të cilat kanë rezultuar 155 subjekte të paregjistruara në QKB.
  • Janë kryer 27 kontrolle në subjekte të fushës së call-center, ndër të cilat kanë rezultuar 4 shkelje të legjislacionit tatimor.
  • Janë kryer 4 kontrolle në sektorin e medias, ku një subjekt është në proces verifikimi;
  • Administrata tatimore ka kaluar për hetime të mëtejshme 30 subjekte që operojnë në sektorin e tregtimit të hidrokarbureve. Procedurat janë në ndjekje dhe nuk janë vetëm përgjegjësi e administratës, por gjithë zinxhirit të institucioneve që janë përgjegjës për ndjekjen penale të përgjegjësve apo administratorëve të këtyre bizneseve.
  • Nga administrata doganore janë kryer 2,224 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 129 raste.
  • Nga strukturat e hetimit doganor janë sekuestuar në Portin e Durrësit 24.9 milion fije cigare të paketuara, 15.600 litra solar, 25.000 litra karburant, etj. Pra, ka fenomene të tilla të cilat vazhdojnë e janë prezente në treg.
  • Janë kontrolluar të gjithë operatorët e sistemit me shumicë në vend që importojnë, tregtojnë apo prodhojnë karburante dhe gaz. Ky proces konsistoi në inventarin e detajuar fizik për: 8 magazina të lira për karburantet, për një periudhë nga 1 janari 2018, të cilat rezultuan me mangësi të ndryshme: 4 magazina të lira për produktin Gaz i Lëngshëm Natyror, nga të cilët 2 rezultuan me mangësi në deklarim, si edhe 3 rafineritë e përpunimit të naftës bruto nga të cilat 1 rezultoi me mangësi në deklarim.

Lidhur me kontrollet për punësimet, që është po aq shqetësuese dhe nuk lidhet vetëm me informalitetin, por edhe me aksidentet në punë:

  • Së pari, nga 3060 subjekte, 1023 prej tyre ose 33,4% janë konstatuar me shkelje. Nëse do të flasim për efektivitetin e rezultatit të kontrollit themi që mbi 30 % e subjekteve që kontrollohen janë me problem. Janë konstatuar 1845 punonjës informalë ndërsa për 1434 subjekte ose 46.7% janë marë masa administrative.

Për periudhën Korrik-Shtator, strukturat e Hetimit Tatimor kanë referuar 97 raste në Prokurori, me vlerë 1, 27 miliard lekë.

Ju besoj e dini se nuk është hera e parë që ndodh referimi në prokurori për skemat e rimbursimit me TVSH, pasi ka ndodhur në janar të këtij viti apo në gusht të këtij viti. Siç e thashë edhe më lart, nuk janë vetëm në administrim të administratës tatimore, pasi puna e hetimit vazhdon edhe në aspekt të skemave të mashtrimit me TVSH.

Për 31 punonjës të Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe 44 punonjës të administratës doganore është proceduar me masa disiplinore, pasi ky proces nuk mund të ndodhë vetëm duke investiguar biznesin, por edhe duke investiguar procese tona të brendshme dhe punonjësit tanë.

Kush janë rezultatet në aspektin e shifrave, përtej efektivitetit të kontrolleve?

Nuk besoj se pretendon dikush këtu që në dy-tre muaj, përtej faktit të parapërgatitjes së analizës së sektorëve me risk të lartë apo të subjekteve që kontrollohen, që rezultatet do të jenë të menjëhershme në vlera të larta.

Ajo që ne shohim është që qarkullimi në disa sektorë të ekonomisë është rritur, sidomos në ata sektorë të ekonomisë ku sipas treguesve të rritjes ekonomike reklamonin në fillim të këtij procesi ulje të deklarimit të TVSH dhe në efektivitetin e këtyre kontrolleve vumë re që deklarimi i xhirove është rritur.

Unë jam shumë dakord që informaliteti nuk mund të luftohet me aksione dhe as me inspektime, por është një proces i gjatë dhe jo vetëm i administratës shqiptare, por edhe i gjithë administratave kudo në botë, edhe në vendet të Bashkimit Europian, pasi ka shumë elementë, jo vetëm ndaj informalitetit, por ndaj ekonomisë gri në përgjithësi dhe uljes së përdorimit të parasë “cash” në ekonomi, e mbi të gjitha është çështje ndërgjegjësimi i të gjithëve ne për të kërkuar kuponin, e jo vetëm.

Është e rëndësishme që administrata tatimore të mos funksionojë vetëm nëpërmjet inspektorëve, por nëpërmjet sistemeve dhe të dhënave, të cilat përpunohen në mënyrë inteligjente, prandaj dhe procesi i Fiskalizimit ka nisur paralelisht.

Megjithatë, për t’iu rikthyer shifrave, për periudhën 9 mujore të ardhurat nga tatimet, kontributet dhe doganat janë 3.7% më shumë se e e njëjta periudhë e vitit të kaluar ose 10.7 miliard lek më shumë.

Për tre muaj radhazi administrata tatimore ka realizuar targetin e vendosur nga Ministria dhe më lejoni të them që në vlera neto ne mund të jemi në minus me 4.5 miliardë lekë për TVSH-në, por po aq është vlera e rimbursimit të TVSH-së më e lartë se sa viti i kaluar, e kjo është po aq e rëndësishme për ta përmendur sepse objektivi i Ministrisë dhe i Administratës Tatimore është të paguajmë TVSH-në e rimbursueshme në kohë dhe janë bërë përpjekje që kjo të ndodhë  për të gjithë bizneset.

  • ka një rritje të përgjithshme të nivelit të xhiros në vlerën 17,5 miliardë lekë
  • rritje të përgjithshme të numrit të kuponave me rreth 400 mijë.
  • për karburantet ka një rritje të përgjithshme të nivelit të xhiros në vlerë rreth 1,6 miliard lekë dhe rritje të përgjithshme të numrit të kuponave të karburanteve me rreth 325 mijë.
  • Punonjësit neto të shtuar për periudhën Korrik-Shtator 2019 llogariten në 1,589 punonjës.
  • Shitjet e tatueshme me shkallë tvsh 6% janë rritur me 1,4 miliard lek ose 27%. E them këtë se 6 përqindëshi lidhet me një sektor siç është turizmi dhe shpesh jemi atakuar se kemi luftuar sektorin në momentin e pikut të tij. Në fakt ne nuk jemi në luftë me sektorin dhe këtë e kam përmendur në të gjithë daljet e mia, të cilat nuk janë bërë për të qenë inspektime, por për të folur dhe komunikuar me biznesin. Për të komunikuar si me biznesin e ndershëm që e ka mirëpritur këtë proces, ashtu edhe me atë që nuk është në përputhje me ligjin, e mbi të gjitha për t’i thënë të gjithëve që biznesi që punon sipas ligjit nuk preket dhe xhiroja e tyre është rritur në shumë qytete me mbi 100 %, por mesatarisht me 27 % për shitjet e tatueshme, siç e përmenda më lart.
  • Të ardhurat nga akciza janë rritur 5.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
  • Hedhja për konsum e produkteve bazë të akcizës të tilla si karburanti është rritur me 2.2%, birra 5% dhe cigaret 13%.

Në muajin Gusht launcuam aplikacionin “Stop Informalitetit”, i cili nuk është i takon vetëm një administrate, por shtetit në përgjithësi dhe qytetarëve, dhe nuk është ideja që ne të nxisim problematika të raportimeve të padrejta. Aktualisht është shkarkuar nga më shumë se 16 mijë qytetarë, por e thashë edhe më parë që lufta ndaj informalitetit nuk bëhet vetëm me aplikacione, as vetëm me inspektime, të cilat nuk janë aksione pasi në vazhdojmë e mblidhemi çdo javë për të koordinuar punën. Në sektorë të caktuar si ndërtimi apo karburantet nuk ndodh që procesi i inspektimit të jetë i njëjtë si në atë të hotelerisë dhe prandaj ju nuk e shikoni përditë, por ne jemi përditë në këtë proces dhe në faqen tonë të web-it ju mund të informoheni mbi të proceset në këtë aspekt.

****

Lidhur me pyetjen për investimet e huaja direkte, më lejoni të them se unë jam e gatshme që të gjithë informacionin në raport me punësimet lidhur me IHD-të e këtij viti, numrim dhe strukturën e IHD-ve t’ua nis me komunikim shkresor. Mund t’ju them ritmin e rritjes në vlerë të Investimeve të Huaja Direkte, i cili në këtë 6-mujor të parë të këtij viti është më i lartë me 13% në krahasim me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Viti i kaluar regjistroi shifrën rekord prej gati 1 bilion euro të investimeve dhe po këtë vit ne mendojmë që do të jetë e njëjta shifër pasi treguesit 6-mujor flasim janë në të njëjtin trend. Sigurisht përpjekjet tona janë për të diversifikuar sektorët ku vijnë investimet e huaja. Paketa fiskale, me lehtësitë e saj, sidomos në sektorin e turizmit, ka kërkuar pikërisht thithjen e investitorëve të huaj me emër në fushën e turizmit. Këto janë procese që nuk ndodhin në një vit dhe jemi shumë të bindur që të gjitha këto procese do të materializohen në një strukturë shumë më të mirë të IHD-ve në vitet e ardhshme. Ne kemi sot kompani në sektorin e hidrokarbureve, si SHELL e për këtë jemi shumë krenarë dhe jemi të bindur që vitin tjetër rezultatet do t’i kemi të prekshme jo vetëm për sasinë e produktit që ato mund të nxjerrin, por edhe cilësinë e atij produkti që ne presim për atë investime.

****

Sa i përket pyetjes lidhur me kompaninë Bankers Petroleum, ne kemi shpjeguar në faqen tonë zyrtare të internetit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë arsyen e procesit të pezullimit të gjobës, jo të faljes. Ju lutem lexojeni atë me vëmendje pasi procesi i pezullimit nënkupton që të marrësh referencë nga Avokatura e Shtetit, nga konsulentë, të një procesi, i cili nuk është më pak i rëndësishëm për tu vendosur, por nuk është i falur. Ky është një proces në vijim dhe konform të gjithë rregullave, në mbrojtje të interesave të buxhetit të shtetit, në radhë të parë, jo të individit dhe as të biznesit vetëm, në shkelje.