Postuar më: 28/03/2014

Forumi Financiar i Shqipërisë

Në datën 26 mars 2014, u mbajt në Tiranë mbledhja e dytë e Forumit Financiar  të Shqipërisë, organizuar nga Banka e Shqipërisë, me ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndër të tjerë, në mbledhje mori pjesë dhe diskutoi ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani.

Diskutimet u përqendruan në analizën e zhvillimeve aktuale dhe vlerësimin mbi perspektivën e ekonomisë dhe të sistemit financiar në Shqipëri, sidomos në kuadër të reformave strukturore të ndërmarra nga qeveria  dhe të mbështetura nga programi i ri me FMN-në.

Në mbledhje pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e sistemit financiar dhe posaçërisht të sektorit bankar, në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Me rëndësi në nxitjen e ndërmjetësimit financiar, u vlerësua nevoja për të vepruar me shpejtësi në drejtim të uljes së kredive me probleme. Pjesëmarrësit theksuan se përpjekjet në këtë drejtim tashmë mbështeten më mirë prej ndryshimeve legjislative që janë kryer lidhur me ekzekutimin e kolateralit,  atyre që do të miratohen së afërmi lidhur me trajtimin tatimor të fshirjes nga bilanci i bankave të kredive të humbura, si edhe nga ekspertiza konkrete që po ofron Banka Botërore. Këto masa, plotësohen nga reformat strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Pjesëmarrësit vlerësuan se kredia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri është një fushë që ka potencial rritjeje në të ardhmen.

Më tej, në mbledhje u diskutua mbi çështje që lidhen me strategjitë e veprimtarisë së bankave lokale që janë pjesë e grupeve bankare evropiane, përshtatshmërinë e kuadrit rregullativ dhe ndikimin që kanë mbi to nismat evropiane në fushën bankare. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e grupeve bankare evropiane theksuan angazhimin e tyre për të mbështetur veprimtarinë e filialeve të tyre në Shqipëri.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht mundësinë konkrete që ofroi ky Forum për një shkëmbim të hapur të pikëpamjeve dhe identifikimin e çështjeve që duhen ndjekur në vijimësi.

Mbledhja e parë e Forumit Financiar të Shqipërisë u mbajt në 8 prill, 2013. Forumi u organizua nën kujdesin e Nismës së Vjena II, që sjell së bashku grupet kryesore ndërkombëtare bankare që operojnë në Evropën Qendrore, Lindore, dhe Juglindore, filialet e tyre lokale, si dhe autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse, si dhe organizata ndërkombëtare, për të diskutuar dhe zgjidhur çështje me interes të përbashkët.

Të rejat e fundit