Postuar më: 07/07/2020

Fillon konsultimi publik për projektligjin “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për Subjektet që bëjnë Deklarim Vullnetar të Pasurisë”

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka zhvilluar sot tri takime të njëpasnjëshme me grupet e interesit, duke filluar zyrtarisht procesin e konsultimit publik për Projekt Ligjin, “Për Amnistinë Fiskale dhe Penale për Subjektet që bëjnë Deklarim Vullmetar të Pasurive”

Në takimet me anëtarët e Këshillit Tatimor, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe Shoqatën e Bankave, u diskutua mbi projektligjin në parim dhe mbi detajet e tij teknike.

Ky projektligj është një mundësi për legalizimin e pasurisë së krijuar nga individët dhe bizneset, përmes punës së ndershme.

Deklarimi vullnetar i pasurisë informale të krijuar në 30 vite do të jetë i mundur për një vit.

Ky deklarim do të jetë i ndarë në 3 fasha dhe do të jetë subjekt i një tatimi të posacem që duhet të paguajë çdo individ apo biznes, që do të formalizojë pasuritë e tij.

Në fashën e parë që përfshin periudhën e 4-mujorit të parë të hyrjes në fuqi të ligjit tatimi i posacëm do të jetë 5% për vlerën e pasurisë së deklaruar.
Në fashën e dytë që korrespondon me 4-mujorin e dytë të hyrjes në fuqi të ligjit, tatimi i posacëm do të jetë 7% dhe për fashën e tretë, që korrespondon me 4-mujorin e tretë të hyrjes në fuqi të ligjit, tatimi i posacëm do të jetë 10%.

Subjektet që përfitojnë nga amnistia janë të gjithë shtetasit shqiptarë pavarësisht, nëse janë ose jo rezidentë tatimor në vend, personat fizikë dhe juridikë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.

Projektligji përjashton nga aministia të gjithë subjektet, që kanë detyrim detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë; ato kriminale si dhe subjektet që kanë ekspozim politik.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë është rënë dakord për të lënë jashtë këtij fokusi grupe të caktuara, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e amnistisë.

Nëpërmjet rregullave të qarta të çdo institucioni, që është pjesë e zbatimit të Deklarimit Vullnetar përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, do të sigurohet zbatueshmëria e legjislacionit në fuqi.