Postuar më: 25/04/2015

Edhe njëherë për paketën e re fiskale të vitit 2016

Ministria e Financave bën me dije të gjithë të interesuarit, përfshirë organizatat e biznesit, se ka filluar të hartojë Paketën e re Fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2016.

Për këtë arsye, ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, në datën 26 Janar 2015 i ka drejtuar një letër, nëpërmjet ministrit të Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, të gjitha organizatave të sipërmarrjes vendase dhe të huaj, që janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim të komunikimit me komunitetin e biznesit, ministria e Financave ka organizuar takime të përveçme edhe me grupe të caktuara interesi si ato që zhvillojnë veprimtari biznesi në tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo shoqatave të biznesit që kanë ngritur probleme lidhur me kreditimin e sipërmarrjes.

Krahas këtij komunikimi, ministri i Financave, ka përsëritur javën e kaluar letrën e tij dërguar shoqatave të biznesit për të përfunduar brenda datës 22 prill propozimet e tyre që do të duhet të përfshihen në paketën e re fiskale të vitit 2016.

Ministria e Financave sqaron se në kërkesën për t’u njohur me kërkesat e biznesit nuk është duke ndjekur për inerci ndonjë model i ndonjë periudhe të kaluar, sepse një model i tillë nuk ka ekzistuar në këtë institucion.

Ministria e Financave do të vijojë të jetë e gatshme për të mirëpritur të gjitha propozimet e sipërmarrjes, me qëllim që ekspertët e saj të bëjnë të mundur sigurimin e informacionit të plotë për propozimet e bëra, të gjejnë mundësinë e kontaktimit me të gjitha grupet e interesit për të konsultuar propozimet e tyre dhe për të kalkuluar edhe efektet e pritshme në buxhetin e vitit 2016, që mund të vijnë nga këto propozime.

Kjo është arsyeja, që në ndryshim nga vitet e tjera, ministria e Financave ka inicuar dhe është duke ndjekur me përgjegjësi të lartë komunikimin me shoqatat e biznesit dhe përfaqësuesit e tyre qysh në 6-mujorin e parë të vitit 2015.

Ministria e Financave, duke respektuar partneritetin dhe komunikimin permanent me sipërmarrjen, kujton edhe njëherë se respekton edhe afatet ligjore që shoqërojnë tërë procesin e hartimit të buxhetit të shtetit për vitin 2016, pra edhe të përfshirjes, kur është e mundur dhe e argumentuar, edhe e propozimeve të sipërmarrjes.

Ministria e Financave lajmëron se pas marrjes së të gjitha propozimeve të biznesit, ballafaqimit të tyre me legjislacionin aktual fiskal dhe të hyrat e planifikuara në buxhetin afatmesëm, do të fillojë konsultimet e ngushta me përfaqësuesit e sipërmarrjes për të arritur në një mirëkuptim të dyanshëm në dobi të realizimit të objektivave ligjore të Qeverisë në fushën e mirëmenaxhimit të financave publike dhe rritjes së të ardhurave nga tatimet e taksat.

 

Të rejat e fundit