Postuar më: 12/03/2015

DPT dhe INSTAT firmosin për prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave

Nisur nga rëndësia për prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare, nga nevoja për inkurajimin në prodhimin e statistikave ekonomike, si dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme kërkesës në rritje për informacion të përdoruesve kombëtarë dhe ndërkombëtarë të statistikave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti Shqiptar i Statistikave, ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje të re, të rinovuar, në formën e një memorandumi mirëkuptimi.

Ky memorandum përcakton detyrimet reciproke të nënshkruesve të tij, sa i përket prodhimit dhe shpërndarjes së statistikave ekonomike zyrtare, duke respektuar afatet kohore të publikimit të tyre.

Memorandumi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) respekton parimet e besueshmërisë, të paanshmërisë dhe objektivitetit të dy institucioneve publike.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndikon në përmirësimin e inkurajimit dhe të zhvillimit të funksioneve statistikore, në rritjen e përpjekjes që të gjithë autoriteteve vendase dhe të huaja, t’u ofrohen statistika ekonomike, në mënyrën më të përshtatshme, në përputhje me kërkesat në rritje për informacion të këtyre përdoruesve.

Memorandumi i nënshkruar sot parasheh mbështetjen e udhëzimeve standarde profesionale nga të dy institucionet, të drejtën e hyrjes dhe të shkëmbimit të të dhënave, marrëdhëniet me agjencitë ndërkombëtare për çështje statistikore, etj.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua, për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga znj. Brisida Shehaj, Drejtore e Përgjithshme dhe për Institutin Shqiptar të Statistikave, nga z. Gjergji Filipi, Drejtor i INSTAT. Ky memorandum është i vlefshëm deri në nënshkrimin e një memorandumi të ri.

Të rejat e fundit