Postuar më: 19/03/2015

Dogana Shqiptare në krah të biznesve që zbatojnë ligjin

Dogana Shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me “Crown Agents” dhe kompaninë koncensionare të pullave fiskale “SICPA”, kanë lançuar fushatën “Bëni Biznes të Pastër”, në kuadër të luftës kundër informalitetit me produktet e akcizës. Kjo fushatë e fokusuar në tregtimin e pijeve alkoolike, do të konsistojë në shpërndarjen e informacionit dhe sensibilizimin e subjekteve, të cilat tregtojnë pije me pullë fiskale. Në këtë aktivitet hapës të kësaj fushate ishte e pranishme zëvendësministrja e Financave njëkohësisht Drejtore e Përgjithshme e Komanduar e Doganave znj. Irena Beqiraj, z. David Smith Drejtues i Programit Crown Agents, Drejtori i Përgjithshëm i SICPA Z. Xavier Dovard dhe Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave për Akcizën z. Dritan Çekani.

Në fjalën e saj hapëse znj. Irena Beqiraj u shpreh se Dogana Shqiptare do të jetë në krah të bizneseve që duan të zbatojnë ligjin, duke i informuar ato dhe duke i vënë në dispozicion mjetet e nevojshme për të identifikuar pullat fiskale false.  “Është një fushatë që ndërmerret në kuadër të luftës kundër informalitetit, e cila është një fushatë tërësore, e cila nuk përfshin vetëm doganat, por gjithë administratën tatimore dhe doganore. Ajo që tentojmë të arrijmë me anë të kësaj fushatë është që të sensibilizojmë dhe informojmë të gjithë operatorët që tregtojnë pije me shumicë dhe pakicë, se cilat janë karakteristikat që duhet të kenë pullat fiskale, ku duhet të vendosen ato, dhe në të njëjtën kohë t’u ofrojmë të gjithë teknologjinë e nevojshme, në mënyrë që tregtarët të kenë mundësi të verifikojnë mallrat që ata tregtojnë nëse kanë pullë e vërtetë fiskale apo jo.”

Më tej në fjalën e saj Drejtorja e Përgjithshme e Komanduar e Doganave u shpreh: “Duam që kjo fushatë të fillojë si një fushatë sensibilizimi, pasi askush nuk mund ta zbatojë ligjin nëse nuk ka njohjen e nevojshme të tij, por në të njëjtën kohë nuk ka mjetet e nevojshme për t’u siguruar që e zbaton ligjin. Nuk është një fushatë me anë të së cilës duam të gjobisim, por një fushatë me anë të së cilës të sigurojmë që të gjitha bizneset janë në përputhshmëri me ligjin, dhe të  sigurojmë një konkurrencë të pastër midis tyre. Ky është edhe qëllimi ynë kryesor. Ne duam të jemi partner të biznesit, por vetëm të atij biznesi i cili zbaton ligjin dhe bën biznes të pastër”,- tha në fjalën e saj znj. Irena Beqiraj.

Ndërkohë Drejtori i Programit të Asistencës Crown Agents pranë Doganës Shqiptare z. David Smith u shpreh se ndërmarrja e kësaj fushate u pa si një hap i nevojshëm në fushën e akcizës, pasi agjentët e tyre kanë konstatuar në terren se në shumë raste shkelja e ligjit ka ardhur si pasojë e mungesës së informacionit.

“Sot është një hap shumë i rëndësishëm në kontrollin dhe zbatueshmërinë e ligjit për akcizat, i cili filloi në qershor të vitit të kaluar. Fushata e Qershorit të vitit 2014 pati në fokus jo vetëm pijet alkoolike, por të gjithë produktet e akcizës në përgjithësi. Dy objektivat kryesor të kësaj fushatë ishin në radhë të parë informimi i subjekteve tregtare dhe më pas përforcimi i zbatimit të ligjit. Kemi patur bashkëpunim nga ana e biznesit që në momentin që u lançua fushata deri më sot. Por në momentet që kemi ushtruar kontrolle në magazinat e mallrave me akcizë kemi vënë re një sërë shkeljesh. Disa prej këtyre shkeljeve kanë ardhur si rezultat i vetë veprimeve të subjekteve tregtare me vetëdije, por në shumë raste të tjera shkeljet kanë ardhur si shkak i mungesës së informacionit.“

“Mosnjohja e ligjit nuk është justifikim, por është e drejtë që ne t’i gjendemi pranë atyre bizneseve që duan ta njohin ligjin dhe ta respektojnë atë. Shumë prej bizneseve që kemi kontrolluar na kanë kërkuar që t’i ndihmojmë me informacion në mënyrë që të zbatojnë ligjin. Së bashku me SICPA dhe në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave ne kemi përgatitur të gjithë infroamcionin e nevojshëm për bizneset, libra udhëzues, manual përdorimi, numër jeshil. Synimi kryesor është mbledhja e të ardhurave, dhe në veçanti mbledhja e të ardhurave në fushën e akcizës. Por kjo gjithashtu ka të bëjë me shëndetin e konsumatorëve. Në qoftë se një shishe alkooli shitet me pullë false atëherë edhe produkti vetë mund të jetë fals.”

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë koncensionare të pullave fiskale SICPA z. Xavier Dovard u shpreh se kjo kompani është në mbështetje të fiskalitetit të produkteve dhe ofrimit të teknologjisë më të fundit për kontrollin dhe verfikimin e tyre.  “SICPA ka nderin të marrë pjesë dhe mbështetet këtë fushatë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me Crown Agents. SICPA ka implementuar dhe ka vënë në funksion për qeverinë një sistem gjurme dhe shenje për produktet e akcizës, si: duhani, birra, pijet e distiluara, etj. Për shkak të nivelit të lartë të sigurisë së pullave fiskale Dogana, Crown Agents dhe SICPA kanë vendosur të ofrojnë orientim dhe mjete për aktorët e zinxhirit të distribucionit për të bërë një autentifikim më të mirë të pullave fiskale”, u shpreh z. Dovard.

Në fund të këtij aktiviteti Zv. Drejtori i Përgjtihshëm i Doganave për Akcizën z. Dritan Çekani shpjegoi nga ana teknike se si do të zhvillohet fushata dhe cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren në vazhdim.

“Kjo fushatë në fillim do të jetë në fazën e sensibilizimit të pikave të shitjeve, të të gjithë zinxhirit të shpërndarjes, por njëkohësisht do t’i drejtohesha edhe publikut për të mos përdorur të gjitha produktet e alkoolit të cilat nuk janë të fiskalizuara. Një produkt i pafiskalizuar do të thotë që ai nuk i ka kaluar testet e kontrollit të shtetit shqiptar. Ndërsa faza e dytë do të jetë kontrolli në terren, menjëherë sapo fushata sensibilizuese të ketë përfunduar. Kontrolli në terren do të jetë ai që do të penalizojë subjektet, të cilat mbajnë, tregtojnë dhe prodhojnë apo transportojnë produkte pa stemën fiskale.Të gjithë bizneseve, tregtarëve dhe pikave që tregtojnë mallra me pullë fiskale Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Crown Agents dhe SICPA do t’i pajisin me validatorë, me anë të të cilëve mund të verifikojnë pullat fiskale. Ato do të tregojnë nëse pulla ëhstë e rregullt ose jo. Në rast se ka parregullsi në vendosjen e pullës fiskale ne kemi vendosur në dispozicion numrat e telefonit, një numër jeshil dhe një numër i Departamentit të Akcizës, për të marrë të gjitha masat e nevojshme që këto produkte të mos jenë më të tregtueshme.”

Më pas në fjalën e tij z. Çekani paraqiti projektin më të ri të Doganës në bashkëpunim me SICPA. “Së bashku me kompaninë koncensionare jemi në një projekt shumë ambicioz, duke krijuar brenda pullës fiskale një bar kod, i cili shumë shpejt do të vihet në funksionim për t’u skanuar nga telefonat celularë. Pra do të mjaftojë një smartphone për të kuptuar nëse produkti është i fiskalizuar ose jo. Kjo është diçka që i përket së ardhmes”,- përfundoi fjalën e tij z. Çekani.

Më pas punonjësit e Doganierët e Akcizës të Doganës Shqiptare kanë bërë një demonstrim sesi mund të kontrollohet një pullë fiskale tek pijet alkolike me anë të Validatorit, pajisje e cila do t’i shpërndahet të gjitha subjekteve që tregtojnë pije alkoolike. Me anë të saj në mënyrë shumë të thjeshtë mund të kuptohet nëse një pullë fiskale është e rregullt ose jo. Në rast të kundër Dogana Shqiptare ka vënë në dispozicion numrin jeshil 0800 22 22, ku menjëherë pas sinjalizimit mbërrijnë punonjësit e Doganës për të bërë verifikimin e mëtejshëm të pijeve alkoolike.

Të rejat e fundit