Postuar më: 14/10/2020

Denaj vizitë zyrtare në Francë: Vlerësojmë bashkëpunimin, ftojmë sipërmarrjet franceze të rrisin investimet në Shqipëri 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Francë,  ku pati edhe një takim me znj. Agnès Pannier-Runacher, Ministër për Industrinë pranë Ministrisë për Ekonominë, Financat dhe Rimëkëmbjen.

Gjatë këtij takimi Ministrja Denaj, vlerësoi  ndihmën e qeverisë franceze, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet ekonomike  kanë   pasur një rritje pozitive  dhe reflektojnë marrëdhëniet  e shkëlqyera dypalëshe.  Bashkëpunimi  ekonomik, referuar  mundësive  potenciale ka nevojë të  gjallërohen  dhe të  intensifikohen  me  aksione  dhe veprime konkrete. Kemi  një  kuadër  të  plotë  ligjor  që  nxit  dhe  mbështet bashkëpunimin  ekonomik dhe investimet direkte. Jemi falënderues për  ndihmën e qeverisë  franceze  për  zhvillimin  e sektorit shëndetësor,  kulturor  dhe arsimor dhe së fundmi edhe në sektorin e energjisë së rinovueshme.”, u shpreh Ministrja Denaj gjatë takimit.

Krahas vlerësimeve  për mbështetjen  franceze, Ministrja Denaj, i ftoi sipërmarrësit francezë që të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, me një vëmendje të veçantë në digjitalizimin e ekonomisë.

“Shqipëria ofron shumë mundësi që  investitorët  francezë  t’i  shfrytëzojnë  dhe  të  rrisin  prezencën e tyre në sektorin e prodhimit, energjisë, turizmit, infrastrukturës, bujqësisë dhe në veçanti në fushën e teknologjisë së informacionit”, tha Ministrja.

Ajo shtoi, se nxitja e bashkëpunimit institucional është shumë e rëndësishme  veçanërisht në shkëmbimin e përvojës, eksperiencave dhe  informacioneve  në  fushën  ekonomike dhe  zbatimin  e  suksesshëm  të  legjislacionit europian dhe proceset integruese.

Modelet e suksesshme të arsimit profesional në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit në Francë, sikundër edhe ato të zhvillimit të qendrave për bizneset inovative dhe start up, janë me interes të gjerë për Shqipërinë, edhe në kuadër të finalizimit të projektligjit të ri për start up-et inovative në vend.

Gjithashtu  Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  gjatë kësaj vizite në Francë, pati një takim të veçantë me Presidenten e sapo zgjedhur të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, ku diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta të Shqipërisë dhe BERZH në rajon dhe ecurinë e projekteve në zbatim.

 

*Statistika

Shqipëria dhe Franca mbeten partnerë modestë tregtar. Për vitin 2019 volumi tregtar i shkëmbimeve me Francën ka qenë 142 milionë euro, nga të cilat importi 105,5 milionë euro dhe eksporti 36.5 milionë euro. Sa i takon  investimeve të huaja direkte në  Shqipëri  (2014-2019),  Franca renditet si  investitori i 5-të më i rëndësishëm me 281 milionë euro, ndërsa sa i takon stokut të investimeve renditet e 8-ta me 1,033 milionë euro.

Sipas  të  dhënave  të  Regjistrit  Kombëtar  Tregtar  (QKB  janar  2020)  janë 126 biznese franceze që operojnë kryesisht në Tiranë, në fushën e tregtisë me shumicë dhe me pakicë; në fushën e informacionit dhe komunikacionit; akomodimit dhe shërbimit ushqimor; ndërtimit, aktivitete profesionale e shkencore, etj.