Postuar më: 16/12/2019

“CEFTA Week 2019”, Denaj: Të rrisim bashkëpunimin rajonal për lehtësimin e tregtisë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizon në datat 16-19 Dhjetor eventin “CEFTA Week 2019”, në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria ka kryesimin prej datës 1 Janar 2019. Në hapjen e aktiviteteve të “CEFTA Week 2019” ishte e pranishme Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj, Anila Denaj, përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të CEFTA-s, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, znj. Ines Mucostepa, etj.

Në fillim të fjalës së saj, fillimisht Ministrja Denaj shprehu falënderimet për solidaritetin dhe mbështetjen që vendet anëtare të CEFTA-s dhanë për vendin tonë, pas fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit.

Sa i përket aktiviteteve të Javës së CEFTA-s, Ministrja tha se në fokus do të tyre do jetë “bashkëveprimi i politikës tregtare, integrimi rajonal, duke u përqëndruar në rëndësinë e lehtësimit të tregtisë në rajon dhe ndërlidhjet midis tregtisë, investimeve dhe komunitetit të biznesit”.

Ministrja Denaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të CEFTA-s, në funksion zhvillimit ekonomik të rajonit.

Gjatë kryesimit të CEFTA-s, Shqipëria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta sjellë këtë bashkëpunim sa më afër nismave konkrete. Në këtë kuadër, Ministrja përmendi disa nisma, si:

-zhvillimi i platformave të reja të bashkëpunimit nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm në krijimin e një platforme rajonale për operatorët ekonomikë të autorizuar;

identifikimi i sektorëve të rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë për produkte specifike dhe përgatitjes së kornizës ligjore në CEFTA për liberalizimin e tyre të plotë;

-negocimin dhe finalizimin e strategjisë së menaxhimit të riskut;

-negocimin e tregtisë në shërbime dhe dakordësimin e angazhimit të palëve për të liberalizuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë;

-nisma rajonale për të përmirësuar tregtinë elektronike dhe përpjekje për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të drejtën e vendosjes në vendet e Ballkanit Perëndimor për personat fizik dhe juridikë.

“Të gjitha këto nisma kërkojnë përkushtim maksimal dhe profesional të institucioneve tona,  kërkojnë një qasje të drejtpërdrejtë dhe një ftesë për të gjithë bizneset e rajonit për zbatimin e rregullave të barabarta për bashkëpunim. Jam thellësisht e bindur se me përkushtimin e plotë dhe me vullnetin për të bashkëpunuar, të gjithë palët në CEFTA do të arrijmë objektivat e përbashkët për ta bërë bashkëpunimin mes nesh dhe të bizneseve në rajon një oportunitet që do të çojë më tej vizionin aktual”, u shpreh Ministrja.

Në kuadër të Kryesimit të Shqipërisë në CEFTA në vitin 2019, u mirëprit nisma për ngritjen e Komitetit Rajonal të Lehtësimit të Tregtisë, si një platforme rajonale dhe afatgjatë, e cila krijon kushte lehtësuese për një bashkëpunimin në rritje të sektorit publik dhe privat. Krijimi i këtij Komiteti, u mirëprit nga pjesëmarrësit, si një strukturë e cila do të sjellë më pranë institucionet politikbërëse dhe bizneset për një klimë më të favorshme për sipërmarrësit e të gjithë anëtarëve të CEFTA.

Nga ana e saj, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, znj. Ines Mucostepa, vlerësoi ndikimin pozitiv që ka patur CEFTA-s në zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, ndërsa vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit për eleminimin e barrierave në procesin e shkëmbimeve tregtare pasi, sipas saj, vetëm një rajon pa barriera mund të jetë atraktiv për investitorët e huaj.

 

 

 

Fjala e Ministres Denaj:

Të nderuar pjesëmarrës,

Së pari më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë vendet anëtare për pjesëmarrjen dhe njëkohësisht të gjithë shteteve të cilat, në ditët e vështira që vendi ynë kaloi, kanë treguar një nivel shumë të lartë solidariteti dhe kanë ndihmuar popullin shqiptar, në radhë të parë, dhe qeverinë shqiptare në përballimin e një emergjence post tërmet, duke treguar edhe një herë se sa afër jemi dhe sa mundësi bashkëpunimi kemi me njëri-tjetrin.

Në emër të qeverisë unë përsëri falënderoj vendet që ju përfaqësoni, popullin që ju përfaqësoni, për ndihmën dhe kontributin e menjëhershëm që na dhatë.

Gjithashtu, ju falënderoj edhe një herë për pjesëmarrjen aktive në këtë javë të rëndësishme, e cila vjen pas disa takimeve përgjatë gjithë vitit dhe sigurisht me shumë objektiva për një bashkëpunim rajonal të frytshëm dhe në vijim me rezultate të prekshme.

Ky takim, por edhe aktivitete të tjera që do të jenë pjesë e Javës Cefta, do të vazhdojë të mbeten si fokus i bashkëveprimit të politikës tregtare dhe, mbi të gjitha, integrimit rajonal, duke u përqëndruar në rëndësinë që ka lehtësia e tregtisë në rajon, ndërlidhjet midis tregtisë, investimeve dhe komunitetit të biznesit.

Është tashmë e ditur që eksperiencat me strukturat funksionale në lehtësimin e tregtisë sjellin një efektivitet për të gjithë vendet. Të gjitha nismat rajonale, të cilat deri më tani kanë realizuar bashkëpunim rajonal, kanë treguar se duhet të arrijmë që burimet tona t’i sjellim në një qasje, në një efektivitet dhe me një vizion më të madh. Mungesa e një bashkëpunimi sigurisht na çon në hapa prapa dhe nuk na lejon që të gjitha potencialet tona që kemi, në secilin nga vendet që përfaqësojmë, t’i sjellim në një platformë për një zhvillim progresiv në të ardhmen.

Prandaj, bashkëpunimi është një lajtmotiv shumë i rëndësishëm i secilit prej vendeve që ne përfaqësojmë dhe Shqipëria ka treguar shpesh, në të gjitha takimet, që është flamurtare dhe në përpjekje të vazhdueshme për ta sjellë këtë bashkëpunim sa më afër në nisma konkrete.

Megjithatë, puna e përbashkët e CEFTA-s tashmë është tashmë zgjeruar, përtej bashkëpunimit dhe dëshirës për të bashkëpunuar, në veprime konkrete. Konkretisht:

Po zhvillojmë platformat e reja të bashkëpunimit nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm në krijimin e një platforme rajonale për operatorët ekonomikë të autorizuar;

Identifikimin e sektorëve të rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë për produkte specifike si frutat dhe perimet, hekuri dhe çeliku, dhe përmes përgatitjes së kornizës ligjore në CEFTA për liberalizimin e tyre të plotë;

Negocimin dhe finalizimin e strategjisë së menaxhimit të riskut;

Negocimin e tregtisë në shërbime dhe dakordësimin e angazhimit të palëve për të liberalizuar më tej bashkëpunimin në këtë fushë;

Nisma rajonale për të përmirësuar tregtinë elektronike dhe përpjekje për të siguruar lëvizjen e lirë dhe të drejtën e vendosjes në vendet e Ballkanit Perëndimor për personat fizik dhe juridikë.

Këto janë vetëm disa nga hapat e sinkronizuar të palëve në CEFTA, të cilat do të bëhen operacionale në vitet e ardhshme përmes Protokollit Shtesë 5 “Lehtësimi i tregtisë së mallrave” dhe Protokolli Shtesë 6 “Tregtia në shërbime”.

Të gjitha këto nisma kërkojnë përkushtim maksimal dhe profesional të institucioneve tona, si dhe kërkojnë një qasje të drejtpërdrejtë dhe një ftesë për të gjithë bizneset e rajonit për zbatimin e rregullave të barabarta për bashkëpunim.

Siç e përmenda edhe më lart, jam thellësisht e bindur se me përkushtimin e plotë dhe me vullnetin për të bashkëpunuar, të gjithë palët në CEFTA do të arrijmë objektivat e përbashkët për ta bërë bashkëpunimin mes nesh dhe të bizneseve në rajon një oportunitet që do të çojë më tej vizionin aktual.

Unë jam shumë e lumtur që ne sot kemi mundësi të diskutojmë mes nesh të gjithë axhendat dhe në ditët në vijim të kemi mundësi të bisedojmë se si do të jetë perspektiva për gjithë elementët e përmendur më sipër, pikërisht duke sjellë në fokus të bashkëpunimit të tre palët, bizneset, qeverinë dhe mbi të gjitha nevojën për ta çuar këtë projeksion në nivele sa më të larta. Por, theksoj edhe një herë, nëse oportunitetet tona nuk shfrytëzohen në të mirë të biznesit, për të mirën e zhvillimit ekonomik të vendeve tona, atëherë besoj që i gjithë ky kontribut do të jetë i munguar përtej nevojës së një platforme teknike që është vënë sot përpara.

Në vullnetin e mirë të të gjithë palëve dhe dëshirës që të gjithë palët ta shikojnë këtë bashkëpunim si një perspektivë zhvillimi ekonomik të gjithë rajonit, unë ju ftoj në diskutime të frytshme dhe për të sjellë përpara gjithë diskutantëve dhe pjesëmarrësve dhe çështje shqetësuese që mund të ketë, por me objektivin për të zgjidhur probleme të biznesit dhe të zhvillimit ekonomik të çdo vendi që ne përfaqësojmë.

Faleminderit.