Postuar më: 19/10/2020

Denaj në Vlorë:  Ulja e taksave për biznesin,  nxit formalizimin

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimeve të drejtpërdrejta me biznesin në Vlorë diskutoi mbi masat e marra nga Qeveria për uljen e taksave.

Dy masat e fundit, si rritja e pragut të TVSH deri në 10 milionë lekë dhe heqja e tatimit mbi fitimin per bizneset me xhiro deri 14 milionë lekë, janë jo vetëm masa lehtësuese  për tatimpaguesit, por  pritet të ndikojnë drejtperdrejtë edhe në formalizimin e ekonomisë.

Kjo ndihmë vjen edhe si mbështetje  për rimëkëmbjen e biznesit pas situatës së shkaktuar nga karantina prej COVID-19.

Ministrja Denaj u shpreh, se :”do të jetë një periudhë jo e lehtë, por Qeveria është pranë bizneseve për t’i dëgjuar dhe lehtësuar nga barra fiskale”.

Ndërsa vetë përfaqësuesit e bizneseve kanë pohuar se vendimi për zerimin e tatimit mbi fitimin nga 1 janari i vitit që vjen është i mirëpritur, pasi do të lehtësojë ndjeshëm kostot e tyre.

“Nga zerimi i tatimit mbi fitimin unë kursej rreth 200 mijë lekë në vit”, tha një sipërmarrës, duke shtuar, se edhe marrëdhënia dhe klima e biznesit ka ndryshuar, prej aktivitetit në doganë te proceset e kontrolleve.

Ministrja Denaj ka thekuar, se heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë do të ndihmojë edhe në fomalizimin e ekonomisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vijon turin e takimeve te drejtpërdrejta me sipermarrje të vogla, te mesme dhe të mëdha në të gjithë vendin, ku po njihet nga afër me çdo problematikë të tyre.