Postuar më: 08/09/2020

Denaj në takimin e Ministrave të Financave të OKB

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në takimin  virtual  të Ministrave të Financave të thirrur nga Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me Ministrat e Financave të Kanadasë dhe Xhamajkës.

Objektivi i përgjithshëm i këtij takimit të Ministrave të Financave ishte paraqitja  e një panorame  dhe masave  të ndërmarra nga krerët e shteteve për t’u rikuperuar nga kriza aktuale në afat të shkurtër dhe për të mobilizuar burimet financiare për të arritur objektivat e Agjendës 2030 dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG),  mundësinë e ndërtimit  të qëndrueshmërisë së vendeve, si  dhe arkitekturën financiare globale për një periudhë afatmesme e afatgjatë.

Gjatë këtij takimi u diskutuan masat kryesore të hartuara dhe propozuara në kuadër të një qasjeje botërore për pandeminë, duke nxitur kështu rezultate si për vendet e zhvilluara, ashtu edhe për ato në zhvillim, pavarësisht përmasave dhe nivelit të tyre të ardhurave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë fjalës së saj në këtë takim, theksoi rëndësinë e kësaj  iniciative të vlefshme në këto kohë të vështira që po kalon bota. “Është e një rëndësie të veçantë për rajonet dhe vendet si Shqipëria, që nisma të tilla të ndërmerren me përfshirjen e të gjitha palëve” tha Denaj.

Ministrja Denaj informoi homologët mbi masat e marra nga Qeveria Shqiptare për të kapërcyer dhe lehtësuar ndikimin e situatës pandemike, duke përfshirë mbështetjen për sektorin e shëndetësisë, masat për bizneset dhe qytetarët me pagesa të drejtpërdrejta dhe ndihmat për ata më në nevojë.

Znj. Denaj theksoi se incentivimi i punësimit, përmes skemave të nxitjes parashikohet të rikthejë në tregun e punës personat që ende nuk janë tërikthyer si pasojë e COVID – 19,  por edhe të mbështesë të rinjtë dhe kategoritë më në nevojë.

Ministrja Denaj shprehu angazhimin e Shqipërisë për të vijuar punën me dy nga grupet e diskutimit për nxitjen e punësimit, si dhe zgjerimin e bizneseve. Angazhimi për shtyllën e dytë “Rimëkëmbje për Qëndrueshmëri”, drejtuar nga Bashkimi Europian do të jetë në fokus të veçantë të qeverisë, duke vijuar nismën e Revolucionit Dixhital dhe duke përmirësuar shërbimet për qytetarët.

Ky takim i paraprin  atij të  nivelit të lartë politik, për një përgjigje gjithëpërfshirëse globale nga krerët e shteteve të tërësisë së opsioneve në një takim të veçantë të Udhëheqësve në 29 Shtator 2020.