Postuar më: 06/10/2020

Denaj: Mbështesim sektorët prioritarë, 40% rritje page për mjekët dhe 15% për arsimtarët

Qeveria shqiptare do të vijë të mbështesë sektorët prioritare si shëndetësia dhe arsimi përmes politikave efikase.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  gjatë konferencës së përbashkët për mediat, me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se në mbledhjen e radhës do të miratohet një rritje e konsiderueshme e pagave në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë që do të ketë efekt financiar nga janari 2021. Konkretisht, rritja e pagave për sektorin e shëndetësisë do të jetë 40% mbi pagën e funksionit për mjekët, infermierët, laborantët e shërbimeve parësore e dytësore të shëndetit publik dhe 15% për mësuesit e sistemit parauniversitar.

Në sistemin shëndetësor do të përfitojnë 18,415 punonjës, nga të cilët 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, ndërsa në sistemin e arsimit parauniversitar do të përfitojnë 35,883 punonjës.

“Është e rëndësishme të theksojmë se gjithë kjo ka një kosto në buxhetin e shtetit, e cila në total për periudhën 2020-2021 llogaritet në shumën e 8 miliardë lekëve, një kosto më e lartë seç e kishim parashikuar në projekt buxhetin afatmesëm, kjo për t’i dhënë një vlerë të shtuar të gjithë punës që bëhet në këto dy sektorë prioritarë”, tha Ministrja Denaj.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Denaj bëri edhe një krahasim me pagat në këto sektorë në vitin 2013, ku rritja është e konsiderueshme me gati 56.8%.

“Për sa i përket mjekëve në shërbimin spitalor,  rritja është në nivelin e 61.6% nga viti 2013 në 2021. Për sa i përket pagave të infermierëve, rritja është në nivelin e 68.3% nga viti 2013 në vitin 2021 dhe infermierët në shërbimin spitalor përfitojnë një rritje  prej 63.4% në  bazë krahasimi mes 2013 dhe 2021.

Pagat e mësuesve nga 2013 në 2021 janë rritur në nivel 21.6%  dhe ato të shkollave të mesme me një nivel rritjeje në 21.3%. Është me vlerë të vlerësojmë edhe të krahasojmë me vende të tjera të rajonit dhe për këtë kemi marrë për bazë Maqedoninë e Veriut. Po të krahasojmë të dy sektorët si arsimi ashtu edhe shëndetësia, flasim për një diferencë shumë të vogël me rritjen e  realizuar në 2021, ku diferenca të paktën për Shqipërinë është pozitive me një rrogë në arsim 60.758 në krahasim me  Maqedoninë e Veriut 54.676 lekë dhe një diferencë shumë e vogël në krahasim me Maqedoninë e Veriut për sa i përket mjekëve”, tha Ministrja Denaj.

Gjithashtu Ministrja u ndal te investimet e realizuara gjatë qeverisjes Rama në të dy sektorët, që në vlerë absolute sot llogariten në 57.7 miliardë lekë në vit, kur në 2013-ën kjo shifër ishte 35.4 miliardë  lekë në vit. Investimet që përfshijnë ato në infrastrukturë, në përmirësimin e qendrave shëndetësore të sistemit të ambulancave, por edhe në arsim, ku investimet në infrastrukturë  përfshijnë të paktën rikonstruksionin e 274 shkollave përtej rritjes së mëparshme të pagave.