Postuar më: 07/09/2020

Denaj: Mbështesim biznesin që eksportojnë produkte “Made in Albania”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në kuadër të takimeve të drejtpërdrejta me biznesin dhe promovimit të “Made in Albania”, zhvilloi një vizitë në kompaninë “MEIA”, në fshatin Kosan, të Malësisë së Madhe.

Pavarësisht situatës së pandemisë kompania ka vijuar eksportin dhe prodhimin dhe synon të zgjerojë kapacitetet falë investimeve të reja dhe automatizimit të proceseve.

Kompania prodhon rreth 150 ton bimë medicinale në ditë, esenca vajore nga livando, dëllenja e zezë, heliksirium apo edhe dafina me bashkëpunimin e rreth 300 fermerëve.

“MEIA” është një sipërmarrje me investim fillestar 3.2 mln euro dhe me 80 punonjës, që konkurron denjësisht me markën e saj “Made in Albania” në tregjet e SHBA-së.

Në tërësi të dhënat zyrtare dëshmojnë për një qëndrueshmëri të eksporteve të bimëve medicinale krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke e bërë një ndër sektorët më pak të prekur nga pandemia.

Qeveria Shqiptare ndër vite ka reduktuar kostot për fermerët dhe industrinë prodhuese duke përjashtuar nga TVSH inputet bujqësore dhe makineritë dhe duke rimbursuar akcizën për karburantin për veprimtarinë prodhuese.

Skemat e Garancisë Sovrane mbeten në dispozicion të sipërmarrjes për zgjerim të kapitalit qarkullues dhe për të mos ndalur investimet si pasojë e COVID19.