Postuar më: 23/09/2014

Buxheti 2014, rishikimi konfirmon objektivat realiste

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat, miratoi sot Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit 2014, që synon ndër të tjera, uljen e deficitit buxhetor me 3.2 miliardë lekë dhe një shtysë të investimeve publike me vlerë rreth 15 miliardë lekë.

Pas 5 vitesh, buxheti rishikohet me rritje, duke konfirmuar objektivat realiste të qeverisë në planin e të ardhurave, madje duke afruar në kohë uljen e deficitit, i cili sipas planit të përbashkët me FMN-në, parashikohej të niste në vitin  2015-n.

“Sot jemi krenarë që na konfirmohet përsëri serioziteti i punës përgatitore në hartimin e buxhetit 2014”, deklaroi ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani, duke shtuar se: “ekonomia ka filluar të japë shenjat e para të përshpejtimit të ritmeve të rritjes krahasuar me rritjen e vitit 2013, por edhe me atë të vitit 2012. Parashikojmë se rritja reale ekonomike për vitin 2014 në tërësi do të jetë rreth 2.1%”.

 

Shenjat e para të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit janë duke u shfaqur: niveli i kredive me probleme është duke u stabilizuar (pas një përkeqësimi gati linear të katër viteve të fundit), rënia e nivelit të kreditimit është ndalur, dhe tashmë edhe indikatorë nga anketa e punësimit të INSTAT tregojnë për një rigjallërim të tregut të punës.

Në kahun e të ardhurave, buxheti rritet me rreth 3.2 miliardë lekë dhe kemi edhe një rivlerësim /rialokim të zërave të veçantë të të ardhurave pa cënuar tërësinë e tyre. “Ne nuk ulim asnjë objektiv nga ato të shpallura më parë për organet e tatim-taksave dhe rikonfirmojmë parashikimin (të përkrahur edhe nga FMN) mbi realizimin e të ardhurave”, u shpreh ministri Cani.

Sa i takon shpenzimeve totale të buxhetit, deri në fund të vitit 2014, ato do të mbeten të pandryshuara, siç kanë qenë në buxhetin fillestar.

 

Rishikimi i buxhetit në këtë fazë është i nevojshëm për disa arsye:

a.         Për t’i dhënë një dinamikë tjetër shpenzimeve kapitale (ato projekte që nuk kanë performuar  po rialokohen).

•           Projektet e investimeve me financim të huaj (kredi) (kryesisht në sektorin e rrugëve) nacionale kanë pasur një ecuri të ngadaltë, prandaj ato rialokohen në projekte me financim të brendshëm. Rialokimi vetëm për investimet arrin masën rreth 15 miliard lekë.

•           Projektligji i propozuar parashikon edhe një ndryshim në burimet e financimit të deficitit, ku huamarrja e brendshme rritet me rreth 5.3 miliardë lekë dhe ajo e huaj ulet me 8.5 miliardë lekë.

 

b.         Për mbështetje sociale:

i.          Mbulohen hendeqet për pagesat e personave me aftësi të kufizuar (4.3 miliardë lekë).

ii.         Krijohen mundësi financimi për disa institucione të kultit.

 

c.         Ndihmohet sektori i shëndetësisë me investime të nevojshme për të rritur shërbimin ndaj qytetarit.

 

d.         Shtohen fondet për arsimin dhe rendin në nevojë të reformave në institucionet përkatëse.

 

e.         Shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtje rriten në masën 1.2 miliard lekë, nga të cilat rreth gjysma e shtesës do ti shkojë Ministrisë së Transportit për mirëmbajtjen e rrugëve dhe pagesën e vendimeve gjyqësore.

f.          Shpenzimet për Pushtetin Vendor rriten me rreth 4 miliardë lekë, e cila reflekton kryesisht rritjen e të ardhurave nga pushteti vendor dhe rritjen e granteve konkurruese.

 

Sipas ministrit Cani, qeveria, nëpërmjet këtij rishikimi, përqendron fondet në projektet më të rëndësishme dhe të mundshme për t’u realizuar deri në fund të vitit.

 

 

Të rejat e fundit