Postuar më: 02/07/2020

Bashkëpunimi me Turqinë,Denaj: Lehtësi për  biznesin shqiptar për tregje të reja pa pengesa

 

Kuvendi miratoi në seancën e radhës ligjin  “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar me ligjin nr. 9733 datë 14.05.2007 në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ”.

 

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, u shpreh, se miratimi i këtij ligji i mundëson biznesit shqiptar hapjen drejt tregjeve të reja për eksport.

 

“Miratimi i këtij Protokolli do të sjellë ulje të kostove dhe rritje të aksesit të bizneseve në këto tregje, ku krahas vendeve të Bashkimit Europian, palëve të CEFTA dhe Turqisë, prodhuesit shqiptarë mund të importojnë lëndën e parë ose produkte me çmim konkurrues në Turqi dhe ta eksportojnë atë në vendet EFTA, duke i dhënë origjinë shqiptare”, tha Ministrja Denaj.

 

Fjala e Ministres Denaj në seancën plenare

——————–

I nderuar Kryetar i Seancës,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar Deputetë dhe Qytetarë,

 

Miratimi i Protokollit me Republikën e Turqisë vjen si një vlerë e shtuar e punës së vazhdueshme që jemi duke bërë drejt uljes së kostove të biznesit dhe hapjes së mundësive për tregje të reja për biznesin shqiptar.

Detyrimi dhe angazhimi ynë është që Protokollet e rregullave të origjinës në marrëveshjen e tregtisë së lirë ndërmjet Palëve në zonën Pan-Euro-Med të zëvendësohen të gjitha me rregullat e origjinës të përcaktuara në Konventën Rajonale për rregullat preferenciale pan-Euro-Mesdhetare të origjinës (Konventa PEM).

Konventa PEM, të cilën Shqipëria e zbaton që nga viti 2012 do të zëvendësojë përfundimisht rrjetin e rreth 60 Protokolleve bilaterale mbi rregullat e origjinës në fuqi në zonën Pan-Euro-Med me një instrument të vetëm ligjor.

Sot, pas një pune më shumë se një vjeçare prezantojmë përpara qytetarëve miratimin e këtij projektligji që do të mundësojë hapjen e tregjeve të reja për eksport, duke përfshirë dhe vendet EFTA si Zvicra, Norvegjia, Islanda etj..

Bashkëpunimi dhe eksplorimi i këtyre tregjeve deri tani ka qënë i limituar, përpos të tjerave edhe nga kostot dhe procedurat e ndërlikuara nga rregullat e origjinës.

Miratimi i këtij Protokolli do të sjellë ulje të kostove dhe rritje të akesit të bizneseve në këto tregje, ku krahas vendeve të Bashkimit Europian, palëve të CEFTA dhe Turqisë, prodhuesit shqiptarë mund të importojnë lëndën e parë ose produkte me çmim konkurrues në Turqi dhe ta eksportojnë atë në vendet EFTA, duke i dhënë origjinë shqiptare.

Më lejoni që në mënyrë të përmbledhur të evidentoj risitë kryesore që sjell zëvëndësimi i këtij Protokolli me Konventën:

  • Thjeshtim në zbatimin e rregullave të origjinës, pasi operatorët ekonomikë nuk do t’i referohen 4 protokolleve, por vetëm një.
  • Sa herë në të ardhmen do të ketë ndryshime në rregullat e origjinës, do të ndryshohet dhe ratifikohet vetëm një protokoll dhe jo 4 protokolle.
  • Miratimi i këtij projektligji do të mundësojë zbatimin e kumulimit diagonal dhe kumulimit të origjinës Pan-Euro-Med në një zonë të vetme, ndërmjet BE-së, Turqisë, vendeve CEFTA (Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal i Zi, Serbi, Bosnjë – Hercegovinë), Moldavisë dhe vendeve EFTA (Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtejn).

Pra, përmes këtij ligji bizneseve shqiptare u ofrohen mundësi për të aksesuar tregje të reja pa pengesa tarifore dhe jotarifore dhe mbi të gjitha me një unifikim të përkufizimeve dhe procedurave të origjinës.

Ju faleminderit!