Postuar më: 11/09/2020

Bashkëpunimi me Bashkimin Evropian vijon në kuadër të COVID 19 – Qeveria Shqiptare miraton Asistencën Makro-Financiare nga BE

 

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e rradhës Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për Ndihmën Makro-Financiare për Shqipërinë në shumën prej 180 milion euro.

Në 25 maj 2020, Bashkimi Evropian miratoi vendimin për të vënë në dispozicion asistencën makro-financiare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të zgjerimit të Evropës Lindore në kontekstin e krizës nga pandemia COVID-19.

Nga fondi i alokuar, Republika e Shqipërisë do të përfitojë asistencën makro-financiare prej 180 milion EUR në formën e një huaje të butë, me normë indikative të interesit rreth 0.5% me kushtet aktuale të tregjeve financiare. Angazhimi i menjëhershëm i Bashkimit Evropian në mbështetje të Shqipërisë, do të mobilizohet në dy transhe të barabarta në buxhetin e shtetit.

Qëlimi i kësaj asistence është lehtësimi i kufizimeve të financimit të jashtëm të vendit, lehtësimi i bilancit të pagesave dhe nevojat buxhetore, të forcojë pozicionin e rezervës valutore dhe të ndihmojë vendin të adresojë sfidat aktuale të jashtme dhe financiare.

Rishikimi i buxhetit nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka synuar alokimin e fondeve në mbështetje të amortizimit të efekteve të COVID 19. Parashikimet afatmesme për indikatorët makroekonomikë dhe shpenzimet buxhetore synojnë një përfshirje më të gjerë sociale, mbështetje në procesin e rindërtimit ndihmë për shtresat në nevojë, dhe stimulim të ekonomisë në procesin e rimëkëmbjes.

Mbështetja nga Bashkimi Evropian është komplementare me burimet e tjera të siguruara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët bilateralë në mbështetje të stabilizimit ekonomik të vendit dhe reformave ekonomike.