Postuar më: 17/11/2020

Përmbledhje e Performancës Paraprake 10 – Mujore të të Ardhurave dhe Shpenzimeve

 

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 10 mujore (Janar – Tetor 2020) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteve të Qeverisë.

Të ardhurat tatimore për 10-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 98.9 % të planit të 10-mujorit, rishikuar me Aktin e fundit Normativ të Buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2020, u realizuan në masën 89.6% të planit të periudhës. Në shpenzimet e përgjithshme publike, përfshihet edhe Paketa Financiare Anti COVID-19, e parashikuar përmes dy akteve normative të Buxhetit të vitit 2020.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e dhjetw të vitit 2020 rezultoi në rreth 65.5 miliardë lekë.

Performanca Paraprake 10 Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të Ardhurat

Të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2020 u realizuan në masën 347 miliardë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 304.6 miliardë lekë, 32.2 miliardë më pak ose -9.6% krahasuar me vitin 2019, si dhe 3.45 miliardë ose 1.1% më pak se plani vjetor (i rishikuar sipas AN 28) për vitin 2020.

Grafiku 1: Të ardhura nga Tatime e Dogana (në milionë Lekë)

 

                                                                                                                     Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 123.7 miliardë lekë, 12 miliardë lekë ose 8.6% më pak se viti fiskal 2019, si dhe 1.4 miliardë lekë ose 1.1% më pak se plani i të ardhurave doganore për 10 mujorin e vitit 2020. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, peshën më të madhe të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zë karburanti total me rreth 24.1% të të ardhurave (nga ku 21.9% karburant importi), cigaret me rreth 14% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.3% të të ardhurave totale doganore. Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritjen krahasuar me 10 mujorin e vitit 2019 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i sheqerit (58%), dhjamrat shtazore, mielli dhe gruri, etj. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga karburantet e importit, karburantet prodhim vendi, energjia elektrike dhe cigare.

Të ardhurat nga TVSH në import për 10 mujorin rezultojnë 81 miliardë lekë, 7.9 miliardë lekë ose 9 % më pak se një vit më parë, si dhe 0.38 miliardë ose 0.5% më pak se plani i periudhës Janar – Tetor 2020. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Rënia e importeve të taksueshme ka ndikuar direkt në uljen e arkëtimeve të TVSH-së në import. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë pë disa kategori artikujsh. Njëkohësisht, përjashtimi nga skema e TVSH-së e inputeve bujqësore uli TVSH-në në import me 1.8 miliardë lekë përgjatë këtij 10 mujori. Po gjatë vitit 2020, ulja drastike e çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare krahasuar me vitin 2019, ndikoi në uljen e bazës së TVSH-së për karburantet e importit, të cilat zënë një peshë të konsiderueshme rreth 15% në strukturën e TVSH-së në import, duke dhënë efekt negativ prej 1 miliardë lekësh. Gjatë vitit 2020, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë sheqeri, mielli dhe gruri, importi i dhjamrave shtazore, të cilat kanë një kontribut pozitiv +0.47 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, karburantet, metalet bazë, automjetet e përdorura, etj, me një efekt -4.2 miliardë lekë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 36 miliardë lekë, 2.7 miliardë lekë ose 7% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe 0.2 miliardë lekë ose 0.7% më pak se plani i akcizës për këtë 10 mujor. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti i duhanit në import, me një rritje +13 ton (+19.4%) me një efekt +64 milionë lekë më shumë se 10 mujori i vitit të kaluar, etj. Produktet e akcizueshme që kishin ndikim negative janë karburantet e prodhuara në vend, me një rënie prej 58 mijë ton (-68.7%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -2.4 miliardë lekë. Deklarimi i prodhimit të duhanit vendas u rrit nga 23 në 33 Ton (+30.3%) gjatë vitit 2020. Akciza e rimbursuar është 0.5 miliardë lekë ose sa 33% e akcizës së rimbursuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019.

 

 

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.5 miliardë lekë, 26.6% ose 0.55 milionë lekë më pak se 10 mujori i vitit të kaluar dhe realizim në masën 72.9% kundrejt planit, ose 0.6 miliardë lekë më pak. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 1.2 miliard lek, 520 milionë ose 31% më  pak se renta e vitit 2019 për periudhën Janar – Tetor. Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë rënë si rezultat i rënies së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, me një efekt -510 milionë lekë, por kjo rënie është shoqëruar nga rënia në sasinë e naftës bruto të eksportuar me -3000 mijë ton, e cila ka sjellë efekt negativ në rentë me -11 milionë lekë. Gjatë vitit 2020 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.4 lekë/ton në 2.35 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 46 milionë lekë, për shkak të rënies së së sasisë së mineraleve me 8.9%, me efekt 35 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rënie të lehtë të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare (-1.9%), me efekt – 11 milionë lekë. Gjatë vitit 2020 kemi një qëndrueshmëri të rentës për njësi në nivelin 0.21 lekë/ton.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5 miliardë lekë, 0.34 miliardë lekë ose 6.3% më pak se 10 mujori i vitit fiskal 2019, si dhe 253 milionë lekë ose 4.8% më pak se plani i vitit 2020. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11%), mish importi (10%), fruta – perime (8.9%), kimikate inorganike (8.9%), materialet e ndërtimit (5.9%), metalet bazë dhe artiukujt prej tyre (6.1%), etj.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për periudhën Janar-Tetor 2020  u realizuan në masën 181 miliardë lekë, 20.6 miliardë ose 10.2% më pak se e njejta periudhë e vitit të kaluar, si dhe 2 miliardë lekë, ose 1.1% më pak se plani 10 mujor i të ardhurave tatimore. Peshën kryesore në mosrealizimin e planit e zë mosrealizimi i Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 37 miliardë lekë, 2.5 miliardë ose 6.4% më pak se 10 mujori 2019, si dhe 3.8 miliardë ose 9.2 % më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar gjatë Janar-Tetor 2020. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja Bruto vjen  si pasojë e efekteve të pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën Janar-Tetor 2020 arritën 13.4 miliardë lekë, 2.8 miliardë lekë ose 17.1% më pak se viti i 10 mujori 2019, si dhe 4 miliardë lekë ose 23.1% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së per Janar-Tetor2020.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 22.2 miliardë lekë. Për shkak të shtyrjes së kësteve të pagesës së tatimit mbi fitimit në ndihmë të biznesit, këto të ardhura janë realizuar 7.4 miliardë lekë, ose 25.1% më pak se 10 mujori 2019, si dhe 1.2 miliardë lekë ose 5.1% më pak se plani Janar-Tetor 2020 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 28.4 miliardë lekë, 12 miliardë lekë ose 29.8% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2019, si dhe 3.9 miliardë ose 12 % më kak se plani për perudhën Janar-Tetor 2020. Faktori kryesor në mosrealizimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale është reduktimi i numrit të të punësuarve  dhe reduktimi i kohëzgjatjes së punës, nga ana e tatimpaguesve si pasojë e Covid 19.

Taksat nacionale, për peridhën Janar-Tetor 2020 u realizuan në masën 27.2 miliardë lekë, 0.5 miliardë lekë ose 2% më pak se 10 mujori 2019, si dhe 0.3 miliardë lekë ose 1.3% më shumë se plani i përcaktuar.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 78.4 miliardë lekë, 776 milionë lekë ose 1% më pak se 10 mujori 2019, si dhe realizim thuajse 103.3% të planit Janar-Tetor 2020.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 10-mujorin e vitit 2020, arritën në 412.65 miliardë lekë me një realizim në masën 89.6 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ky zë ka rezultuar 5.8 % më i lartë ose rreth 22.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 96.8% dhe 85.4% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në, 77.8 % dhe 64% të planit vjetor.

 

Grafiku 2: Shpenzimet korrente dhe kapitale Plan vs Fakt (në milionë Lekë)

 

                                                                 Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)

Niveli i deficitit në muajin e dhjetë të vitit 2020 rezultoi në rreth 65.5 miliardë lekë nga rreth 107.6 miliardë lekë i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit arriti në masën rreth 6.6 miliard lekë, për periudhën 10 mujore të vitit 2020 deficiti rezulton 58.8 miliard lekë më shumë. Grafiku i mëposhtëm tregon tendencat e treguesve kryesorë të buxhetit të shtetit.

 

Grafiku 3: Të ardhurat, shpenzimet dhe deficiti/suficiti – Plan vs Fakt 10 mujor 2020 (në milion Lekë)

 

 

                                            Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë (2020)